Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë së Veriut po tenton të realizojë një tendencë me qëllim realizimin e një ndryshimi ë skenën politike në Maqedoni. Zoran Zaev përmes përfshirjes në listat e saj Lëvizjen BESA po përpiqet që në formë të shtojë numrin e deputetëve shqiptarë, por njëkohësisht të zvogëlojë prezencën shqiptare në përmbajtje. Kështu ka deklaruar ish ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Arben Çejku në emisionin “Diplomaticus’ të NEWS 24, transmeton MEDIAL.mk
“Ka një përpjekje të LSDM-së për të përdorur në një kohë të re një kartë të vjetër siç është filozofia e Bashkim-Vëllazërimit të kohës së Titos dhe po përpiqet që bazuar në zgjedhjet e kaluara ku në njëfarë mënyre e mikloi votën shqiptare, këtë herë të bëjë një hap më përpara miklimit të jetë pak më agresive duke futur në listat e saj parti shqiptare dhe duke u përpjekur që në formë të shtojë numrin e deputetëve shqiptarë në parlamentin e Maqedonisë së Veriut por ta zvogëlojë prezencën shqiptare në përmbajtje, pra të ketë më pak grup parlamentar shqiptar në parlamentin maqedonas. Kjo është një lëvizje për mendimin tim tepër e rrezikshme, nuk ka tentuar ta bëjë as Gruevski në ditët e tij më të mira dhe besojë se do të marrë një përgjigje Zaev për këtë sepse sot jemi në një kohë kur pluralizmi politik nuk mund të manipulohet me skena paraprake edhe për koalicione imagjinare”, deklaroi isha ambasadori Çejku.
Çejku gjithashtu thotë se BDI-ja e Ali Ahmetit përsëri do të jetë parti fituese tek hapësira shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
“Shqiptarët kanë mundësit e tyre të zgjedhjes, nuk janë thjesht mes BDI-së dhe PDSH-së por kanë opsion më shumë, është koalicioni i Ziadin Selës por natyrisht është edhe partia tradicionaliste e Ali Ahmetit, BDI-ja e cila besojë që përsëri do të jetë parti fituese tek hapësira shqiptare. Për fat të keq partitë e reja shqiptare nuk duhet ta kishin bërë këtë gabim që të rreshtoheshin menjëherë nën sqetullat e Zaevit dhe do të shohim se ky është një eksperiment nga i cili do të shohim se sa humbje do të ketë, qoftë për LSDM-në, qoftë për Besën”, u shpreh Çejku.