Jo të gjithë politikanët janë liderë, dhe jo të gjithë liderët janë vizionar e mendojnë e punojnë për të ardhmen e vendit. Të mendosh për të ardhmen e vendit e të punosh vetëm për të ardhmen e partisë është hipokrizi klasike e dorës së parë. Sepse, ndryshe shprehen e ndryshe veprojnë. Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, dëshmoi të kundërtën ashtu siç është shprehur edhe po vepron, në fakt kjo duhet të ishte idealja. Ai nga pozita e ministrit po dëshmon përcaktimin e tij se është i vendosur të kontribuoj për të mirën e përgjithshme dhe për të ardhmen e vendit. E këtë e bëri përmes vendimit për shkarkimin e drejtorëve ekonomik, shkruan Zhurnal.
Arben Taravari politikani i parë që po lë anash interesat partiake në shërbim të interesit shtetëror –
Vendimi i ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, është më shumë se një vendim është guxim i pakompromist i një lideri vizionar që para çdo interesi atij personal e partiak vendosi interesin e përgjithshëm shtetëror. Jemi mësuar të shohim veprime e mashtrime të natyrave të ndryshme madje edhe të atyre përmasave që nuk mund t’i dalin as zot, vetëm për një grusht votash e për ngritje të partisë.
Bie fjala idetë për agjendës së gjelbër pa çka se vendi ngulfatej nga deponi të shumta e në çdo kënd. Pra, në vendin ku hapësirat e gjelbra mund t’i shihin qytetarët vetëm nëse vendosnin syze me këtë ngjyrë sërish shihnin “politikanë” me bluza të gjelbra derisa tymi zi dhe ngjyra betonit dominonin në çdo cep.
Apo jemi mësuar të shohim kryetar komunash që i kanë për qejfi makinat luksoze e të shtrenjta, pasi nuk u shkohet në punë me makinë standarde, rasti i Merkos në Strugë.
Raste të tilla ka me bollëk kur të vetquajturit politikanë dhe njerëzit me fat që ndodhen në pozita të ndryshme bartës të funksioneve publike, në radhë të parë vendosin interesin personal pastaj atë klanor e partiak. Por, parullat që ndryshimi erdhi siduket po marrin formë dhe kuptim pasi vendimi i Taravarit e mundësoi këtë që nga fjalët të kalohet në vepra.
“Me propozim tonë, Qeveria merr vendim për shfuqizimin e drejtorëve organizativë. Qeveria e Maqedonisë së Veriut me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë miratoi informacionin për shfuqizimin e pozitës së drejtorëve organizativë në spitalet e vendit. Ky vendim vjen si pasojë e reduktimit të shpenzimeve si dhe zgjidhjes së problemeve administrative për shkak se dy pozita udhëheqësi krijon paqartësi rreth kompetencave dhe përgjegjësisë, ka shkruar ministri Shëndetësisë, Arben Taravari.
Ai tutje ka sqaruar se përmes këtij vendimi realizohet një premtim i VLEN që përmes kësaj dëshmon se është i lidhur fortë me atë që deklaron dhe premton.
“Me këtë vendim i cili u premtua më herët nga VLEN në disa dalje publike rrit efikasitetin e spitaleve dhe ndikon dukshëm në marrjen e vendimit dhe reagimit të shpejtë. Nga tani, me shfuqizimin e 40 pozitave të drejtorëve organizativë, përgjegjës për spitalin do të jetë vetëm drejtori i spitalit me çka do të rrisë efikasitetin në punë. Kjo do të arrihet me ndryshimin e Ligjit për mbrojtje shëndetësore i cili u miratua në seancën e qeverisë dhe do të dërgohet për miratim në Kuvend”, ka përfunduar Taravari
Ndryshe në përkrahje të këtij vendimi përkundër një numër të madh të qytetarëve dhe vartësve të Taravarit, publikisht ka shkruar për këtë vendim edhe ish kryetari i Forumit Rinor të ASH-së, Omeri Ajdini. I cili përmes një statusi në rrjetin social në facebook ka qartësuar këtë vendim duke thjeshtëzuar për qytetarët në mënyrë që të kuptojë gjithsecili se në ASH parasegjithash mendohet e punohet për interesin e përgjithshëm të të gjithë qytetarëve pa dallim.
“VLEN ka mundur mos t’i shfuqizojë pozitat e drejtorëve organizativë nëpër spitale dhe sot të ketë diku 40 pozita shtesë për t’i rahatuar aktivistët (ashtu siç ka bërë BDI për vite me radhë), mirëpo në interes të sistemit të shëndetësisë zgjodhi t’i shfuqizojë këto pozita dhe të vendos rend si dhe të ulë shpenzimet e panevojshme në institucionet shtetërore. Këtë reformë nuk e kanë bërë asnjë nga qeveritë e mëparshme sepse eliminimi i pozitave të drejtorëve organizativë shkon ndesh me interesat e partive në pushtet. Kjo reformë është dëshmi e vullnetit për ta vendosur shtetin para partisë. Çdo qytetar i vetëdijshëm duhet ta përshëndet dhe vlerëson këtë akt”, ka shkruar Omer Ajdini.
Të gjithë politikanët e sidomos liderët e partive politike duhet të ndjekin shembullin e Taravarit –
Nëse synohet progresi i përgjithshëm shtetëror, nëse gjithsecili pajtohet se ky vend ka stagnuar është e domosdoshme që të merren vendime që kërkojnë guxim. E shpesh herë këto vendime mund të bien ndesh me interesat personale e partiake por duhet të merren. E pikërisht këto vendime i marrin ata që vërtetë janë liderë vizionarë dhe synojnë një qëllim të përbashkët, zhvillim dhe krijim të kushteve për jetë dinjitoze.
Nëse deri dje në Maqedoninë e Veriut është luftuar për të mbijetuar që nesër duhet punuar që mbijetesa të shndërrohet në jetë normale dhe mesatare që gjithsecili ta ketë hapësirën e merituar dhe atë që e kërkon. Por, kjo nuk arrihet dot kur pjesë e pushtetit bëhen politikanë që nuk shohin përtej selisë së partisë.
Për fat të mirë të qytetarëve në pushtetin e ri ka kalibër të atillë të politikanëve që punojnë dhe brengosen për jetën dhe vështirësitë e qytetarëve, i vetmi që ka dëshmuar këtë në praktikë deri në këto momente është Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë dhe njëherit kryetar i ASH-së.
E këtë shembull duhet ta ndjekin të gjithë, kolegët e kundërshtarët politikë. Sepse, vetëm duke u kursyer buxhetin e shtetit reflektohet brengosje e angazhim për të ardhmen e vendit. Në të kundërtën, ata që zhvasin buxhetin e shtetit pas kamerave e para kamerave deklarojnë se ia duan të mirën vendit. Edhe na gënjejnë edhe na mashtrojnë por në faktin dëmin më të madh që na bëjnë është se na vjedhin dhe shkatërrojnë të ardhmen tonë që aksidentalisht bie në duar të tyre.