Anësori i Kosovës, Arbër Zeneli, e ka pranuar se ky mund të jetë sezoni i tij i fundit në Heerenveen, por ka insistuar se mundësitë që ai të largohet në nga liga elitare holandeze gjatë afatit kalimtar të janarit, janë të vogla, me gjithë interesimin e shfaqur për të nga klubet turke.
Për futbollistin më të mirë të Kosovës ka pasur interesim nga Turqia, por synimi i tij nuk është Superliga turke, por njëra nga pesë ligat kryesore evropiane, gjë të cilën e ka përsëritur Zeneli edhe gjatë një interviste me mediat holandeze të mërkurën, shkruan Gazeta Express.
“Gjasat që unë të largohem këtë muaj nuk janë aq të mëdha. Transferimi në verë është më i mirë”, tha Zeneli për mediat holandeze.
Ai nuk dëshiron ta vazhdojë kontratën me klubin holandez, e cila i mbaron në fund të këtij sezoni. Zeneli, futbollisti më i mirë kosovar për vitin 2018, vlerësohet 6 milionë euro në tregun e transferimeve.
Së fundmi, ylli i ekipit kombëtar të Kosovës e refuzoi gjigantin tjetër turk, Fenerbahcen, duke thënë se dëshiron të luajë në një ligë më të fortë, me gjithë respektin për mesazhet që kishte marrë nga tifozët e klubit turk.
Ndërsa, ditë më parë mediave lokale në Turqi raportuan se kampioni në fuqi i Superligës turke Galatasaray kishte nisur bisedimet me Zenelin dhe se trajneri Fatih Terim ka kërkuar që ai të transferohet në janar.
Por, Arbëri këmbëngul se dëshiron të përqendrohet në skuadrën e tij Heerenveen tani për tani dhe ta kërkojë transferimin në Angli, Spanjë apo Gjermani në verë.
“Shpresoj të transferohem në ndonjë klub në Spanjë, Angli apo Gjermani. Mendoj se do të ndodhë [transferimi] edhe pse në futboll kurrë nuk mund të jesh i sigurt. E kam thënë shpesh: tani për tani dua të përqendrohem në Heerenveen”, shtoi Zeneli.
Pasi i ndihmoi Kosovës të promovohet në Ligën C të Ligës së Kombeve duke ia siguruar po ashtu një vend në play-off për kualifikime në EURO 2020, Zeneli është duke bërë një sezon shumë të mirë edhe me klubin e tij holandez, për të cilin i ka shënuar katër gola dhe ka dhuruar tetë asiste në 15 paraqitje.