Një tërmet me fuqi prej 6.8 shkallësh të Rihterit e goditi pjesën qendrore të Argjentinës të hënën, ndërsa pas tij u regjistruan së paku edhe pesë dridhje të tjera që i drodhën ndërtesat dhe i rrëzuan produktet nga vitrinat e dyqaneve.
Sidoqoftë, nuk pati raporte fillestare për persona të lënduar.
Ky tërmet e pati epiqendrën dhjetë kilometra nën sipërfaqen e tokës, 40 kilometra në jug të provincës San Juan, sipas Qendrës Kërkimore Gjermane për Gjeoshkenca, shkruan Reuters.
Ndërkohë Qendra Sizmike Mesdhetare Evropiane njoftoi se fuqia e dridhjeve të mëpastajshme ishte nga 3.5 deri në 5 shkallë të Rihterit.
Në postimet e rrjeteve sociale u panë shumë shtëpi dhe ndërtesa duke u dridhur, ndërsa tërmeti la edhe çarje në rrugë e shishet e qelqit në vitrinat e dyqaneve ranë në tokë, transmeton Gazeta Express.
Sistemi Paralajmërues Amerikan për Cunami tha se nuk është lëshuar ndonjë njoftim për cunami të mundshëm pas tërmetit.