Ushtruesi i detyrës ndihmës sekretar shtetëror i SHBA-së për Evropë dhe Euroazi, Filip Riker gjatë vizitës së sotme në Tetovë, ka biseduar me kryetaren e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Në shoqërim të Rikerit, në qytet për herë të parë pas emërimit të saj në funksion, ka qëndruar edhe ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Kejt Bërns.
“Tetova është qytet, i cili ka ndikim të madh edhe në jetën ekonomike, edhe në atë politike në vendin tonë. E përshëndes angazhimin e kryetares së komunës për integrimin në NATO dhe evropoian të vendit”, tha Riker në takimin me kryetaren e komunës, Arifi.
Ndërkaq, Arifi, nga ana e saj, ka shprehur angazhim të fuqishëm për integrim sa më të shpejtë të vendit në BE dhe NATO, ndërsa potencoi edhe nevojën për bashkëpunim të ardhshëm edhe më produktiv.
“Falënderojmë Filip Rikerin për përkrahjen dhe bashkëpunimin që Tetova e merr nga ana e SHBA-së. Në mbledhjen e sotme tema qendrore ishin marrëdhëniet bilaterale dhe rruga e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në NATO dhe BE, ndërsa u këmbyen edhe mendime për gjendjet në rajon”, tha Arifi.