Reshjet e fundjavës kanë shkaktuar vështirësi në komunën e Likovës, respektivisht në fshatrat e Malësisë së Kradakut, Llukarë dhe Goshincë.
Sipas kreut të komunës së Likovës, për shkak të infrastrukturës ekzistuese në drejtim të këtyre dy fshatrave malore, mund të lëvizet vetëm me automjete të rënda. Rrugët e tjera janë të kalueshme.
“Në territorin e komunës së Likovës të gjitha rrugët regjionale dhe lokale janë të kalueshme, por sa i përket fshatrave malore, ato janë pak sa më specifike pasi që infrastruktura është më e komplikuar, si në fshatin Gushincë ashtu edhe në Llukarë, aty kemi komplikime për arsye se atje nuk mund të lëvizet me vetura normale por vetëm me vetura më të rënda, ndërsa në të gjitha fshatrat tjera rrugët janë të kalueshme”,- theksoi për TVM2 kryetar i komunës së Likovës, Erkan Arifi.
Sa i përket pastrimit të rrugëve, Arifi thotë se kompetencat për mirëmbajtjen e rrugëve lokale i ka NP “Pisha” ndërsa rrugët rajonale, Agjencia për rrugë shtetërore.
“Bëjmë përpjekje maksimale që edhe te ato dy fshatra malore ta pastrojmë rrugën nga dëbora. Në bazë të vendimit komunal N. P. “Pisha” është kompetente për mirëmbajtjen e rrugëve lokale, ndërsa për rrugët regjionale është Agjencia për Rrugë Shtetërore me të cilët kemi një bashkëpunim të mirëfilltë”, u shpreh Arifi.
Në qytetin e Kumanovës nga të reshurat e fundit të bores është krijuar vetëm një shtresë prej një centimetër borë, që nuk shkakton kurrfarë problemi në trafikun urban. Të mërkurën priten reshje të reja bore.