Armando Broja rikthehet titullar? Finalja me Spanjën, ja tri lëvizjet e Silvinjos te Kombëtarja shqiptare

Ndryshe nga ditët e tjera, Kombëtarja shqiptare e zhvilloi në orën 11:00 seancën e djeshme stërvitore. Në fushë zbritën të gjithë futbollistët, të cilët pasi kryen nxemjen në ambientet e mbyllura të palestrës, iu drejtuan fushës për të kryer ushtrimet që Silvinjo dhe stafi teknik udhëzuan. Atmosfera në grup dukej pozitive, ku nuk mungonin batutat dhe ngacmimet me njëri-tjetrin. Fillimisht u punua në kuadrat, ku pjesë e tij u bënë edhe Silvinjo me Salihin.

Marketing

Trajneri u pa i përfshirë shumë, madje disa herë duke ndërhyrë edhe me sparkatë ndaj lojtarëve. Më pas të gjithë vijuan me ushtrimet e tjera që konsistonin për pjesën teknike dhe daljet në sulm. Me grupin nuk u përfshi vetëm Rei Manaj i cili punoi i veçuar.

Sulmuesi që luajti titullar në ndeshjen me Kroacinë kreu vrapim të lehtë me preparatorin atletik dhe kjo ishte për shkak se ishte ende i mbingarkuar nga takimi i fundit. Lushnjari do të jetë gati për Spanjën dhe nesër do të përfshihet me grupin. Kristjan Asllani u shfaq me gjurin e lidhur, duke qenë se kishte një shqetësim në menisk, por kjo gjë nuk e pengoi që të stërvitej normalisht.

ANALIZA- Pas stërvitjes i gjithë ekipi zhvilloi një analizë të detajuar të ndeshjes mes Spanjës dhe Italisë për të kuptuar më mirë lëvizjet dhe mënyrën e lojës së kundërshtarit të radhës. Në krye të grupit, me 6 pikë, spanjollët pritet të mos luajnë me forcat e para kundër Shqipërisë të hënën. Trajneri i tyre mund të ulë në stol disa prej lojtarëve kryesorë për t’i lënë pushim për turin tjetër. Kuqezinjtë mund të shpresojnë për një rezultat pozitiv, pse jo për të tentuar edhe maksimumin e pikëve, duke qenë se vendi i parë në grup është siguruar nga Spanja.

TITULLARËT- Është ende shpejt për të folur dhe për të nxjerrë një panoramë të qartë për formacionin që Silvinjo do të hedhë në fushë kundër Spanjës. Duhet vlerësuar gjendja e Manajt, por edhe një dënim i mundshëm i Dakut. Një situatë kjo, që mund të rikthejë nga minuta e parë Armando Brojën me Spanjën, duke ditur shpejtësinë e sulmuesit. Një tjetër mundësi është inkuadrimi i Arbër Hoxhës si titullar, por me futjen e Laçit në mesfushë dhe kalimin e Bajramit në krah mbetet një balotazh me Jasir Asanin, i cili po ashtu zhvilloi një ndeshje të mirë me kroatët dhe vështirë se Silvinjo mund ta ulë në stol. Aktivizimi i Hoxhës mund të bëhet vetëm nëse Bajrami kalon në mesfushë, në vendin e Laçit, dhe hapësira lirohet në krah. Balliu mund të jetë një surprizë e Silvinjos në krahun e djathtë, po të kemi parasysh edhe paraqitjet jo brenda pritshmërive të Elseid Hysajt. Megjithatë, sot dhe nesër mund të zbulohet diçka më shumë në lidhje me manovrat e trajnerit brazilian.