Arratisja e Enver Sekiraqës – ky është gjyqtari që u suspendua

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka suspenduar nga puna gjyqtarin, Agim Kuçi që ishte subjekt i hetimit në rastin e vrasjes së Triumf Rizës, shkruan Insajderi

Marketing

Gjyqtari i suspenduar e ka lënë të lirë, të akuzuarin Enver Sekiraqa.

Suspendimi i tij u bë i ditur përmes një njoftimi të lëshuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

“Sa i përket rastit AD/KGJK/04/2024/GJTHPR-AD/GJTHPR/8/24, Këshilli bazuar në kërkesën e autoritetit kompetent me shumicë të votave vendosi për suspendimin e gjyqtarit që është subjekt i hetimit, deri në një vendim tjetër të Këshillit”, thuhet në njoftimin e KGJK-së.

Këshilli vlerësoi se “suspendimi i subjektit të hetimit, në këtë fazë të procedurës, do të krijojë parakushte që paneli hetimor të hetoj në tërësi çështjen në mënyrë të pavarur, objektive dhe të pa ndikuar”.

Kush është gjyqtari Agim Kuçi?

Agim Kuçi është gjyqtar i Krimeve të Rënda në Prishtine që nga viti 2020.

Kuçi, ishte pjesë e trupit gjykues që e dënoi Sekiraqën me 25 vite dënim me burgim për rastin e vrasjes së policit Triumf Riza.

Në shpallje të aktgjykimit, gjyqtari Kuçi e liroi nga masa e arrestit shtëpiak Enver Sekiraqën por që vendimi i Apelit më 17 maj e ktheu në paraburgim të akuzuarin Sekiraqa.

Por, Sekiraqa është arratisur pas lirimit në arrest shtëpiak. Ai nuk është gjetur në shtpinë e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ në Prishtinë më 17 dhe 18 maj, kur Policia me urdhër të Gjykatës shkoi për ta marrë Sekiraqën dhe dërguar atë në paraburgim.

Enver Sekiraqa po gjykohej për shtytje në vrasjen e policit Triumf Riza.

Gjykimi ndaj tij ka nisur më 2014. Ky proces maratonik gjyqësor ndaj Sekiraqës ka rezultuar me dy dënime të deritanishme. Në vitin 2016 Sekiraqa u dënua me 36 vite burgim, kurse me 30 vite burgim në vitin 2019. Më 3 maj të këtij viti, ai u dënua me 25 vite burgim nga shkalla e parë e gjykatës.

Theksojmë se gjyqtari i Themelores ishte cak i hajnave në dhjetorin e vitit të kaluar. Ai pati deklaruar se vjedhja kishte ndodhur gjatë kohës sa në shtëpi nuk ishte askush.