Në një njoftim të hollësishëm të të gjitha veprimeve të ndërmarra deri tani, në lëndën për arratisjen e ish kryeministrit, Nikolla Gruevskit, Prokuroria Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion njofton se ka dhënë urdhër që të sigurohen të gjitha video incizimet nga kamerat e “Safe City” në kryeqytet, hotelet dhe objektet e tjera, nga Aeroporti, si dhe të gjitha vendkalimet kufitare që lidhin Maqedoninë me Shqipërinë.
Video filmimet prej afro 10 terabajt janë dorëzuar për analizë në MPB. Zyrtarisht nuk ekzistojnë të dhëna se Gruevski e ka lëshuar vendin nga ndonjë vendkalim kufitar natën kritike. Prokuroria ka kërkuar nga autoritetet shqiptare dhe atyre në Mal të Zi, që të marrë video filmimet nga vendkalimet kufitare.
Podgorica zyrtare ka dërguar filmimet në Shkup, por autoritetet shqiptare kanë njoftuar Prokurorinë fillimisht se materiali është gjigant dhe nuk posedojnë mjete për të bartur të njëjtin, më pas kanë njoftuar gojarisht se i njëjti nuk është ruajtur dhe se materiali që kanë nuk korrespondon me materialet nëpër vendkalimet kufitare.
“Prokurori publik ka dëgjuar 56 persona, prej të cilëve 28 zyrtarë policorë nga pikëkalimet kufitare, 6 anëtarë të sigurimit të Nikolla Gruevskit, 5 persona zyrtarë nga MPB dhe 17 persona tjerë. Deri në këtë moment, prokurori përgjegjës nuk ka evidentuar ekzistimin e përgjegjësisë së personave zyrtarë, të cilët i kanë ndihmuar ose kanë marrë pjesë në organizimin dhe realizimin e ikjes së të dënuarit, Nikolla Gruevski”,- thuhet më tej në raport.
Prokuroria ka vërtetuar gjithashtu se, Gruevski në shtator të 2018, në të njëjtën ditë, nga tri banka të ndryshme ka tërhequr rreth 120.000 euro nga llogaria personale dhe organet kompetente tashmë janë njoftuar për këtë tërheqje zyrtarisht edhe nga bankat.
“Argumentet e grumbulluara çojnë në konkluzionin se ka pasur lëshime të caktuara në veprimin e disa institucioneve, por këto veprime nuk paraqesin vepra penale dhe nuk janë në kompetencë të kësaj prokurorie”,- thuhet në njoftim.