Arratisja e të burgosurit nga Idrizova si në filmat Hollivudian

Aksione të tilla jemi mësuar të shohim vetëm nëpër filmat hollivudian. Por mbrëmë kjo ndodhi pikërisht në autostradën e Shkupit.

Marketing

Fillimisht I burgosuri Bekim Memeti u ankua se ka nevojë për trajtim mjekësor dhe u dërgua në spitalin Nënë Tereza në Shkup.

E me tu kthyer për në burgun e Idrizovës persona të panjohur me veturë “Audi” ngjyrë gri pa targa e kanë prerë rrugën e furgonit të policisë duke goditur veturën në të cilën ndodhej i burgosuri me çka janë përleshur me armë zjarri me pjesëtarët e policisë së burgut.

“Punonjësit e policisë së burgjeve të cilët ndodheshin në një furgon “Ford Transit” të policisë së burgjeve kanë kërkuar ndihmë nga policët e SPB Shkup, pasi, sipas raportimit të tyre, gjatë shoqërimit të të dënuarit B.M. , nga INP “Idrizovë” në Qendrën Urgjente “Nënë Tereza”, në autostradë, i dënuari ia ka marrë armën shoferit I.H. (punonjës i policisë së burgjeve), ka qëlluar me armë zjarri dhe ka plagosur I.H.. Më pas i dënuari është arratisur me një automjet pasagjerësh Audi” – thonë nga MPB.

Ndërsa Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve, do të kryejë kontroll të jashtëzakonshëm në burgun e Idrizovës dhe do të marrë masat përkatëse për të gjitha parregullsitë e konstatuara për të përcaktuar se përse nuk është ofruar ndihma e policisë për shoqërimin në spital.

“Do të përcaktohet nëse ka ndonjë përgjegjësi për transportimin e të dënuarit, si dhe për lëshimet që çuan në një rrjedhë të tillë të të gjithë ngjarjes. Është lëshuar urdhër për shpalljen e fletarrestit ndërkombëtar për të arratisurin. Punonjësi i policisë së burgjeve që është plagosur është dërguar në spital për trajtim të mëtejshëm” – thonë nga drejtoria për ekzekutimin e sanksioneve.

Ndryshe, Bekim Memeti nga Tetova është i dënuar me gjithsej 21 vjet burgim, prej tyre 19 për vrasje dhe dy për prodhim dhe tregtim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve. Ai e vuan dënimin që nga 28 dhjetori 2020 dhe skadon më 17 prill 2040.