Arrestimi i Mijallkovit rrezikon ndryshimet kushtetuese?!

Arrestimi i ish drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov rrezikon procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe atë të pajtimit kombëtar. Alsat mëson nga burime konfidenciale se mbrëmjen e kaluar kur Mijallkov është arrestuar për t’u dërguar në burgun hetues të Shutkës, ka qenë në takim konsultativ me 8 deputetët e përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja të cilët votuan qasjen për ndryshime kushtetuese më 19 tetor. Takimi ishte duke u zhvilluar në hotel Merriot në qendër të Shkupit.

Marketing

Burime nga grupi i deputetëve për Alsat kanë konfirmuar takimin me ish shefin e DSK-së, duke mos dhënë detaje mbi ecurinë dhe temat që janë diskutuar. Deputetët që kontaktoi Alsat në rrethana anonime konfirmuan se pas arrestimit të Mijallkovit dhe paraprakisht të Mile Janakievskit dhe Kiril Bozhinovskit vihet në pikëpyetje procesi i ndryshimeve kushtetuese dhe ai i pajtimit kombëtar. Njëri nga deputetët që votuan për ndryshimet shton se arrestimet përbëjnë sulm ndaj procesit të pajtimit i cili ka nisur, duke shtuar se për momentin akoma nuk është vendosur se si do të veprohet më tej.

Jo zyrtarisht Mijallkov përflitet të jetë personi i cili i ka bindur 8 deputetët e VMRO-DPMNE-së të votojnë për nismën e ndryshimeve kushtetuese. Madje për këto dyshime, partia opozitare vendosi që Mijallkovin ta largojë nga subjekti duke e akuzuar për bashkëpunim kriminal me vëllanë e kryeministrit Zaev, Vice Zaev. Pretendimeve të opozitës, Mijallkov ju përgjigj me letër publike drejtuar kreut të VMRO-së, Hristijan Mickoski të cilin e akuzoi për patriot të rremë dhe njëri që punon kundër përcaktimeve strategjike të partisë.