Arrestohet administratori i plazhit ku u mbytën babai me dy djemtë

Policia vë në pranga administratorin e pjesës së plazhit të Vilë-Bashtovës, në Gosë, Rrogozhinë, ku humbën jetën nga mbytja në det, 3 shtetas.

Marketing

Nuk kishte marrë masa për sigurimin e jetës së plazhistëve, nuk garantonte shërbimin me vrojtues plazhi gjatë gjithë kohës, nuk kishte pajisur me sinjalizim dhe me kufizim me bova të hapësirës ujore, pjesën e plazhit që kishte marrë me qira nga bashkia Rrogozhinë, arrestohet 34-vjeçari.

“Në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen e ndodhur mesditën e datës 09.07.2023, në plazhin e Vilë-Bashtovës, ku humbën jetën nga mbytja në det, 3 shtetas (babai dhe dy djemtë e tij të mitur), strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasin Pëllumb Nika, 34 vjeç, banues në Tiranë, administrator i operatorit turistik që kishte marrë me qira nga bashkia Rrogozhinë, pjesën e plazhit të Vilë-Bashtovës, ku ndodhi kjo ngjarje.

Arrestimi i 34-vjeçarit u bë pasi nga veprimet hetimore të kryera në terren ka rezultuar se ky shtetas, në cilësinë e administratorit të parcelës së plazhit të marrë me qira nga bashkia Rrogozhinë, nuk kishte plotësuar kushtet e sigurisë sipas kontratës së lidhur mes operatorit ekonomik dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit (kontratë e miratuar nga Ministria e Turizmit), dhe për pasojë janë mbytur në det, shtetasit E. H., 50 vjeç, R. H., 17 vjeç dhe M. H., 13 vjeç, banues në Tiranë,” njoftoi policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë operatorët që kanë përfituar kontrata shërbimi përgjatë vijës bregdetare, që të ushtrojnë aktivitetin në përmbushje të detyrimeve për sigurinë e jetës së pushuesve dhe të marrin masa të menjëhershme për të përmirësuar edhe më shumë kushtet e sigurisë, pasi Policia e Shtetit nuk do të tolerojë në asnjë rast, shkelje të tilla që cenojnë sigurinë dhe jetën e pushuesve në plazhe.