Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhrin e kërkimit kundrejt të arrestuarit, për vendosjen e masës së sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste”
Policia e Shqipërisë ka arrestuar një shtetas të Kosovës i shpallur në kërkim për pjesëmarrje në grupe terroriste, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë ka konfirmuar se është arrestuar 32 vjeçari me inicialet F.D, banues në Kosovë, cili ka tentuar të kalojë kufirin shqiptar me dokument të falsifikuar.
“Drejtoria Vendore e Policisë Kufitare Vlorë në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë kanë bërë kapjen e këtij shtetasi pasi nga verifikimet e bëra në zyrën Qendrore Kombëtare Interpol Tirana rezultoi se shtetasi F.D, është shpallur në kërkim nga autoritet policore të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Theksohet se ky shtetas është kapur në flagrancë në Portin e Vlorës pasi ka tentuar të dalë nga Republika e Shqipërisë duke përdorur pasaportë të falsifikuar maqedonase.
Sipas policisë, Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhrin e kërkimit kundrejt të arrestuarit, për vendosjen e masës së sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste”.