Arrestohet një grup terrorist me ideologji të ISIS-it në RMV

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare dhe Prokurorinë Publike, arrestoi, siç tha, “një grup terrorist që ka vepruar në territorin e Maqedonisë së Veriut”.

Marketing

Gjatë aksionit u arrestuan tre anëtarë të grupit, ndërsa u konfiskua edhe një sasi e madhe e armëve, municionit dhe pajisjeve të tjera.

“Departamenti për luftimin e terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka ngritur padi penale në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit kundër personit me inicialet B.A. (28) nga Kumanova, me banim në Shkup, ndërsa kundër personave me inicialet V. А. (22) dhe E.L. (25), të dy nga Kumanova, për veprën penale ‘organizatë terroriste’ dhe ‘terrorizëm’”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Sipas njoftimit të policisë, të arrestuarit janë persona të kthyer nga luftërat jashtë Maqedonisë së Veriut dhe më parë kanë vuajtur dënime me burgim për veprën penale “pjesëmarrje në ushtri të huaj, në formacione paraushtarake dhe para-policore”.

Sipas njoftimit, grupi me emrin “Celula” ka ideologji të ngjashme me organizatën terroriste Shteti Islamik (ISIS).

Qëllimi i këtij grupi, siç bëhet e ditur në njoftim, ishte kryerja e akteve terroriste në territorin e Maqedonisë së Veriut.

Ministria e Punëve të Brendshme tha se gjatë operacionit janë sekuestruar pesë pushkë automatike, një mitraloz, fishekë për pushkë automatike, tre kondakë druri, tri granata për minahedhës, dy kapela maskimi, dy palë doreza maskimi, dy jelekë taktikë, katër jelekë maskimi taktikë, një flamur me shkronja arabe (ISIS) dhe një shall me shkronja arabe.

Gjatë arrestimit të të dyshuarve, u gjetën edhe dy rripa shpërthyes, dy pajisje me tela me trashësi të ndryshme, dy radio-stacione, një siguresë për pajisje shpërthyese, një kompjuter laptop, nëntë telefona celularë, pesë karta SIM, rroba kamuflazhi, dy thika etj.

Marketing