Arrihen efektet e para të taksës ndaj Serbisë, rritet konsumimi i produkteve vendore në Kosovë

Taksa prej 100 për qind e vendosur nga Qeveria e Kosovës për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina ka bërë që të rritet konsumimi i produkteve vendore, thonë përfaqësues të bizneseve.

Marketing

Aleanca Kosovare e Biznesit ka bërë një hulumtim lidhur me ndikimin e taksës 100 për qind në ekonominë kosovare nga data 21 nëntor deri më 5 dhjetor 2018. Në këtë hulumtim, AKB thuhet të ketë anketuar 300 kompani të zgjedhura në industrinë ushqimore, tregtare, shërbyese dhe të ndërtimtarisë me 250 konsumatorë të Kosovës.

Lumnije Ajdini, menaxhere e përgjithshme e AKB-së, bënë të ditur për Radion Evropa e Lirë se në bazë të hulumtimit del se te bizneset kosovare, masa prej 100 për qind, ka dhënë efekte pozitive për prodhimin vendor. Prodhimtaria vendore, shton Ajdini, përgjatë kësaj periudhe kohore ka shënuar rritje për 25 për qind.

Për rritje të kapaciteteve prodhuese vendore, Ajdini thotë t’i kenë rekomanduar kompanive prodhuese që të rrisin cilësinë e produkteve si dhe i kanë rekomanduar Qeverisë së Kosovës të subvencionojë bizneset prodhuese, në mënyrë që këto të fundit të fuqizohen.

Për shkak të industrisë së dobët të prodhimit në Kosovë, eksporti i produkteve “Made in Kosova” në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, kap vlerën e mbi 300 milionë eurove në vit, kurse importi i produkteve të huaja në vend arrin rreth 3 miliardë euro në vit.