Arrihet dakordim mes Kosovës e Serbisë për targat

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se është arritur një marrëveshje në parim mes palëve për situatën sa i përket targave.

Marketing

Ai ka thënë se është arritur një draft final e po pritet vetëm miratimi nga pala serbe. Bislimi ka thënë se sipas marrëveshjes, pritet që nga dita e hënë të vendosen stikersat në vend të targave, ndërsa do të caktohet një grup punues për të gjetur zgjidhje të përhershme rreth targave brenda gjashtë muajve. Po ashtu pritet që Policia e Kosovës të zëvendësohet me KFOR-in në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak.

“Kemi pasur disa takime, të gjitha ishin bilaterale, me z. Lajçak, i cili pastaj ka ndërmjetësuar mes palëve. Qëllimi për ne ka qenë i qartë të arrijmë deeskalimin e të ruajmë reciprocitetin me targa. Deri tash kemi arritur te një draft final, që thuajse është dakorduar në tërësi. Ka mbetur vetëm pala serbe të jap dakordim final. Marrëveshja parasheh tri elemente. E para nga dita e hënë si Kosova ashtu edhe Serbia të avancojnë në përdorimin e stikersave në vend të ndërrimit të tabelave, që ishte edhe synimi i ynë të kemi trajtim të barabartë. Është e përkohshme dhe do të formohet grup punues për gjetje të një zgjedhje të përhershme për lëvizje të lirë të veturave brenda gjashtë muajve. Pika e tretë ka të bëjë me deeskalimin e situatës, largimin e barrikadave nga dy pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Sipas kësaj marrëveshje, të shtunën do të vendoset KFOR-i në pikat lartë, e pas disa orëve do të zëvendsohej Policia Speciale, që paralelisht me barrikadat do të largohej nga pikat kufitare”, ka thënë ai.