Arrihet marrëveshje për ndërtimin e rrugëve që kalojnë në zonën e Manastirit të Deçanit

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se kryeministri Avdullah Hoti, në bashkëpunim me ambasadorin e Italisë, Nicola Orlando dhe me mbështetje të komandantit të KFOR-it Michele Risi, kanë arritur marrëveshje për projektimin, ndërtimin dhe përdorimin e rrugëve, të cilat kalojnë nëpër Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit.

Marketing

Marrëveshja është thënë të jetë rezultat i diskutimeve për disa muaj mes Komunës së Deçanit dhe përfaqësuesve të Kishës Ortodokse në Manastirin e Deçanit.

Sipas BE-së, “kjo marrëveshje synon të nxisë marrëdhëniet mes komuniteteve përmes mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe rritjes së zhvillimit ekonomik brenda komunës së Deçanit dhe rajonit”.

Në gusht të këtij vitit, autoritetet në Kosovë janë pajtuar që të pezullojnë punimet në rrugën R108, e cila përshkon një pjesë të zonës së mbrojtur pranë Manastirit të Deçanit.

Lidhur me këtë çështje, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë përmes një komunikate se marrëveshja përfshin zhvillimin e një rruge ndërkombëtare në kufijtë e Zonës së Veçantë të Mbrojtur dhe një rruge brenda kësaj Zone.

Pezullimin e punimeve e patën kërkuar edhe autoritetet në Serbi.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2016 kishte marrë vendim, sipas të cilit Manastirit të Deçanit i njihet e drejta e pronësisë për 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.

Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Zona të Veçanta të Mbrojtura, i cili duhet të sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb si dhe për komunitetet tjera në Republikën e Kosovës.

Manastiri i Deçanit është njëra nga zonat e mbrojtura, sipas këtij ligji.

Sipas ligjit, në këto zona janë të ndaluara aktivitetet të ndryshme, si: ndërtimet apo zhvillimet industriale, të tilla si eksplorimi dhe shfrytëzimi i burimeve minerale dhe ndërtimi i digave, centraleve elektrike apo linjave të tensionit, furrave dhe fabrikave dhe rrugëve transite në zonat rurale; dhe ndërtimet apo zhvillimet që çojnë në shpyllëzimin apo ndotjen e mjedisit.