Pas 20 gushtit pritet që ekskavatorët të vazhdojnë punën për ujësjellësin e Siniçanit. Kryetari i Bogovinës Albon Xhemaili për Alsat shprehet se në Qeveri kanë gjetur zgjidhje kompromisi. Janë marrë vesh që së bashku të bëjnë projektin e furnizimit me ujë që do të sigurojë ujë të pijshëm për banorët e Siniçanit. Projekti, sipas Xhemailit, do të jetë gati në një afat shumë të shpejtë, për vetëm dy javë dhe më pas zyrtarisht do të fillojnë punimet ndërtimore, në përputhje me dokumentacionin e projektit.
Por, në tetë ditët e kaluara policia parashtroi dy kallëzime penale për ujësjellësin që shkaktoi tensione mes banorëve të Siniçanit dhe Urviçit rreth të drejtës ekskluzive për burimet e ujit të pijshëm. Kallëzimi i parë penal është për vetëgjyqësi. I dyti është kundër kryetarit të Komunës së Bogovinës, Albon Xhemaili për “punë të pandërgjegjshme”. Sipas MPB-së, i pari i kësaj komune ka lejuar që të fillojë ndërtimi i ujësjellësit pa dokumentacionin e nevojshëm dhe leje për punë.
Derisa për problemin e Siniçanit është gjetur zgjidhje, Prokuroria Themelore është duke zbardhur edhe rolin e prokurores së Tetovës në këtë rast. Raport përpiloi Prokuroria e Lartë e Gostivarit për Siniçanin. Dokumenti tashmë është duke u shqyrtuar dhe duhet të tregojë saktësisht se cili ka qenë roli i prokurores së Tetovës Lejla Kadriu tetë ditë më parë, kur rrëzë Malit Sharr konfrontoheshin banorët e Siniçanit dhe Urviçit, rreth ujit të pijshëm. Atë natë për shkaqe sigurie në terren ishte edhe policia, por edhe prokurorja Kadriu. Ajo pohonte se udhëheqë procedurë parahetuese për një vepër të caktuar penale, pa saktësuar për cilën. Madje i kërkoi policisë që të largohet nga Siniçani. Pikërisht për këtë arsye, Prokuroria themelore kërkoi që kolegët nga Gostivari të përcaktojnë nëse dikush e ka autorizuar Kadriun që të shkojë në Siniçan për të bërë ekspertizë dhe nëse për këtë ka shënim zyrtar, por edhe çfarë heton.