Sulme kimike, klonim dhe vrima të mëdha të zeza. Arritjet shkencore të këtij viti ishin të pazakonta dhe të larmishme.
Për banorët e qytetit britanik Salisbury, 2018-a do të mbahet mend si viti kur agjenti nervor Novichok preku komunitetin e tyre. Profesore Andrea Sella e quan një lëndë veçanërisht helmuese.
“Sistemi nervor reagon fuqishëm dhe shkakton simptoma të çuditshme si paralizë dhe konvulsione njëkohësisht”.
Operativët ruse dyshohet ta kenë përdorur këtë agjent nervor në përpjekjen përhelmimin e një ish-spiuni rus dhe vajzës së tij. Incidenti i tensionoi marrëdhëniet mes Evropës dhe Rusisë. 2018-a do të kujtohet gjithashtu si viti kur manipulimi gjenetik arriti përparime të mëdha.
Që nga fillimet modeste të kësaj teknike me delen Dolly në vitin 1997, këtë vit shkencëtarët klonuan derra, qen, mushka dhe majmunë.
Dhe teknikat e tranformimit të gjeneve po përdoren tani për të krijuar kafshë sipas një modeli të caktuar, si për shembull si këto lopë Holstein, që u krijuan pa brirë.
“Lopët Holstein kanë brirë dhe janë shumë të rrezikshme për fermerët dhe për lopët e tjera”, thotë Alison Van Eenennam e Universitetit të Kalifornisë në Davis.
Shkencëtarët zbuluan gjithashtu një sjellje të pazakontë tek një specie e lashtë e një grenxe shumë pickuese.
Radioskopitë zbuluan një specie grenxe parazite 30 milionë vjetëshe, sa një kokërr orizi, e cila që në atë kohë ushqehej me miza të lashta.
“Miza tek e cila hyn grenxa, ose paralizohet ose vazhdon të ushqehet, të marrë frymë dhe të jetojë normalisht por me këtë qenie parazitare që jeton dhe rritet brenda saj. Dhe gradualisht i merr jetën”.
Një tjetër mister i botës së natyrës u zgjidh kur shkencëtarët zbuluan se si luleradhiqja bezdisëse arrin të përhapë aq mirë pushin e saj në ajër.
Shkencëtarët po përdorin këtë informacion të ri si një mënyrë të mundshme për rikrijuar mikro-objekte fluturuese që mund të qëndrojnë pezull në rrymat e erërave për periudha të gjata kohe.
Dhe së fundi, duke përdorur një teleskop masiv në Kili, shkencëtarët arritën të vëzhgonin një yll të vogël që po kalonte pranë një vrime të zezë dhe të shihnin se si drita e tij, ndryshoi drejtim dhe u shtrembëria nga graviteti i fortë i vrimës së zezë.
Ky vëzhgim konfirmoi një nga parashikimet bazë të teorisë së relativitetit të Ajnshtajnit: që Universi nuk është i përbërë vetëm nga hapësira, por një gërshetim i çuditshëm i hapësirës dhe kohës mbi të cilin mund të ketë ndikim graviteti.
Pra një vit intensiv për shkencën!/VoA