Arsimi transferon Xhezair Avdulin te FC Shkupi, me 30% të kartonit përfitim të ardhshëm

Arsimi i Çegranit vazhdon të dëshmojë punën e shkëlqyer me talentet, duke arritur marrëveshje me FC Shkupin për transferimin e mbrojtësit të majtë Xhezair Avduli. 20-vjeçari do t’i bashkohet skuadrës nga Çairi në janar, me kusht që FC Shkupi të zhbllokojë merkaton e ndaluar nga FIFA. Në rast të kundërt, Avduli do të luajë si huazim te Arsimi deri në verën e vitit 2025.

Marketing

 

Sipas marrëveshjes, Arsimi ka siguruar të mbajë 30% të kartonit të lojtarit për transferimin e tij të ardhshëm, duke garantuar përfitime financiare shtesë në varësi të zhvillimit të tij. Ky është një tjetër sukses për klubin nga Çegrani, që brenda 6 muajve arrin ta shesë një lojtar nga Liga e Tretë në Ligën e Parë, duke përforcuar reputacionin si klub që zhvillon dhe promovon talente.

 

Xhezair Avduli iu bashkua Arsimit verën e kaluar nga Lokomotiva (në atë moment ishte në proces fuzioni me Fortunën), ndërsa më parë ka qenë pjesë e akademisë së Shkëndijës së Tetovës dhe ka filluar karrierën te Fortuna e Hasanbegut.

Ky transferim i rëndësishëm tregon qartë vizionin e Arsimit për të investuar në të ardhmen dhe për të krijuar një model të qëndrueshëm zhvillimi për talentet e futbollit shqiptar.

Marketing