Arsyet që i çuan në shtëpi Nismën, AKR-në e PSD-në

Zgjedhjet e përkohshme parlamentare që u mbajtën të dielën e kaluar në Kosovë kanë lënë jashtë dy prej partive që ishin pjesë e qeverisjes së kaluar, koalicionin Nisma-AKR.

Marketing

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja ky koalicion nuk arriti ta kalonte pragun zgjedhor, duke marrë vetëm 4.96 për qind të votave.

Por një rezultat të tillë duket se nuk po e pranon partia e Fatmir Limajt, Nisma Socialdemokrate, për këtë ata kanë kërkuar edhe rinumërimin e të gjitha kutive të votimit, pasi KQZ-ja ktheu në rinumërim 314 kuti.

Javën e kaluar vet kreu i Nismës, Fatmir Limaj, i ka dërguar një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku kishte kërkuar rinumërim të votave në nivel vendi.

Në këtë letër ndër të tjera shkruan se janë evidentuar parregullsi dhe shkelje flagrante në përdorimin e formularëve të bartjes se rezultateve zgjedhore në të gjitha komunat e Kosovës.

“Për shkak të efektit negativ dhe në shkeljen e nenit 101 dhe 102 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme konsiderojmë se vendimi për rinumërim të pjesshëm i KQZ-së është i pamjaftueshëm për të përmirësuar shtrembërimin e rezultatit pa saktësinë dhe dëmin që iu është shkaktuar subjekteve politike garuese duke dëmtuar kështu direkt vullnetin e shprehur të votuesit në të gjitha komunat”, thuhet ndër të tjera në letrën e Limajt të cilën e kishte siguruar “Kosovapress”.

Më tutje në letrën e Limajt, thuhet se meqë tashmë KQZ me vendimin e marrë ka vërtetuar gabimin në formularët e bartjes së rezultateve KQZ nuk mund të lejojë që një gabim i tillë të lejohet të vlejë edhe për kutitë tjera të votimit.

“Duke iu referuar këtij vendimi më lart të KQZ-së i cili vërteton qartë gabimet në formularin e shpërndarë, vendimi i KQZ-së për të rinumëruar pak më shumë se 300 kutive krijon paligjshmëri dhe shkelje ligjore për lejimin e pjesës tjetër të numërimit. Prandaj, ne konsiderojmë se KQZ ja tashmë ka pranuar gabimet në formularë të bartjes së rezultateve dhe si pasojë direkte juridike të gjitha rezultatet në të gjitha vendvotimet duhet të rinumërohen, për të përmbushur kërkesat e ligjit respektivisht nenit 101 dhe 102 të Ligjit për Zgjedhjet, transparenca dhe saktësia e numërimit të votimit”, thuhej ndër të tjera në letër.

Mirëpo, duket se ndëshkimin më të madh, Fatmir Limaj e mori në vendlindjen e tij, ku nuk arriti që të fitonte shumicën e votave, ashtu siç kishte ndodhur në të kaluarën. Nisma e Limajt në Malishevë mori vetëm 7 mijë e 383 vota apo 34.94 për qind.

Një tjetër befasi ndodhi edhe më koalicionin AAK-PSD, ky koalicion përveç se nuk mori shumë vota, ashtu siç synonin, ata nuk arritën as tu afroheshin tri partive më të mëdha në vend.

Ky koalicion mori 92 mijë e 149 vota apo 11.57% për qind të votave, kaq u mjaftoi për ta kaluar pragun.

Por, duket se goditjen më të madhe e mori Partia Socialdemokrate, pasi sipas raportimeve të fundit ata do ta kenë vetëm një ulëse në Kuvend, edhe pse një gjë e tillë zyrtarisht nuk është konfirmuar ende.

Janë tri arsye pse PSD-ja nuk arriti të marrë dy apo më shumë ulëse në Kuvend, thotë analisti Rasim Alija.

Alija thotë se njëra ndër arsyet kryesore është mënyra se si janë ndarë nga Lëvizja Vetëvendosje, ku sipas tij duket se elektorati i ndëshkoi për këtë, si dhe sjelljet e tyre në kuvend, pasi siç tha ai nuk mund të jesh edhe pozitë edhe opozitë.

Po ashtu ai thotë se ky koalicion ishte ekstrem i panatyrshëm, pasi AAK-ja ka elektorat tjetër ndërsa PSD-ja elektorat tjetër.

“Janë tri arsye pse PSD-ja nuk arriti të marrë më shumë ulëse në Kuvend, e para është mënyra se si janë ndarë nga Lëvizja Vetëvendosje. Siç duket i ka ndëshkuar elektorati prej mënyrës së tyre të organizuar për ndarjen nga Lëvizja Vetëvendosje. E dyta është sjellja e tyre sa kanë qenë pjesë e Kuvendit pas ndarjes nga Vetëvendosje. E kemi parë që nuk mundesh me qenë edhe opozitë edhe me qenë përkrahës i Qeverisë, nuk mundesh me i luajt këto dy role. Qytetari e vëren shumë dukshëm rolin kur je parti opozitare dhe kur je dikush i cili në terma pezorativ e mbështet ose je patericë e Qeverisë. Dhe e treta është koalicioni ekstrem i panatyrshëm mes AAK-së dhe PSD-së. AAK-ja ka elektoral tjetër, në shumicën e rasteve elektorati i tyre është pjesë rurale ose pjesë e një zone të caktuar që është ajo e zonës së Dukagjinit, kurse elektorati i PSD-së ka qenë pjesë urbane. E kemi parë që edhe gjatë fushatës PSD-ja nuk ka bërë fushatë, ose të paktën ka qenë e shkrirë pothuajse në fushatën e AAK-së, nuk ka bërë fushatë në zonat e saja urbane sidomos në Prishtinë. Pra janë këto tri arsyet pse PSD-ja nuk ka arritur edhe është ndëshkuar nga elektorati, dhe nuk ka arritur që të përfaqësohet të paktën me 3 ose 4 deputetë. E kemi rastin e Shpend Ahmetit në Prishtinë, i cili nuk ka arritur të marrë më shumë vota”, ka thënë Alija për lajmi.net.

Ndërsa sa i përket koalicionit Nisma- AKR- PD, Alija thotë se duke pas parasysh që ishin pjesë e pushtetit, është çudi që ata nuk arritën të kalonin pragun.

Ai thotë se në këto zgjedhje më shumë se më parë janë thyer bastionet, derisa shton se edhe Malisheva e ndëshkoi Limajn.

“Nuk e besoj që kish mundur e vetme me kalua. Në fakt kjo është befasia më e madhe sa i përket mosarritjes së pragut nga Nisma, duke pas parasysh që kanë qenë pjesë e pushtetit edhe më herët dhe kjo të paktën është dashur me mjaftua që strukturat të jenë edhe të forta financiarisht, mirëpo edhe të jetë kjo pjesa e shpërblimit. Me qenë pjesë e pushtetit është shumë e lehtë që të arrish të paktën që të kalosh pragun. Kjo mbetet e çuditshme se pse Nisma nuk ka arrit me kalua pragun, mirëpo duket që kjo fryma e ndryshimit e ndëshkimit të elektoratit ndaj subjekteve në pushtet e ka përfshirë edhe Nismën dhe rrjedhimisht nuk ka arritur që të kaloj as pragun. Është shumë interesante se këto zgjedhje më shumë se më parë janë thyer bastionet, nuk do të ketë më bastione. Nëse e shohim Vetëvendosjen që në shumicën e bastioneve të Republikës ka arritur të dalë e dyta. Në ato bastione ku tradicionalisht kanë qenë të subjekteve tjera, pra kjo e ka përfshirë edhe Malishevën komplet. Pra një pjesë i ka shkuar PDK-së dhe një pjesë i ka shkuar Nismës dhe VV-së”, ka thënë Alija.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë u mbajtën më 6 tetor, ku fituese e këtyre zgjedhjeve doli Lëvizja Vetëvendosje me 25.48 për qind të votave, ndërsa e dyta është radhitur Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.82 për qind, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 21.24 për qind.

Marketing