Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli e priti sot në takim artisten e njohur Zake Prelvukaj – një prej figurave më të rëndësishme të artit pamor bashkëkohor në Kosovë dhe më gjerë në hapësirat shqiptare. Gjatë këtij takimi miqësor u diskutua për rëndësinë e promovimit të artit dhe kulturës në hapësirat akademike, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta kulturore dhe artistike.
Gjatë këtij takimi Rektori i UT-së, shprehu mirënjohjen për kontributin e znj. Prelvukaj në pasurimin e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe theksoi gatishmërinë e Universitetit të Tetovës për të mbështetur iniciativa që forcojnë lidhjet mes artit dhe arsimit të lartë. Ndërsa artistja Zake Prelvukaj u shpreh e kënaqur nga atmosfera pozitive në Universitetin e Tetovës duke e falënderuar Rektorin për mikëpritjen dhe interesimin e treguar ndaj artit dhe kulturës.
Pas këtij takimi, Fakulteti i Arteve në hapësirat e “Europe House” organizoi një bashkëbisedim të studentëve me artisten e njohur dhe pedagogen universitare të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, Zake Prelvukaj.
Ky bashkëbisedim realizohet në vazhdën e aktiviteteve kulturore dhe akademike që organizohen nga Fakulteti i Arteve dhe që kanë për synim fuqizimin e dialogut mes artistëve të etabluar dhe studentëve. Dekani i Fakultetit te Arteve, Prof. Ord. Senad Abduli e vlerësoi këtë bashkëbisedim si një moment frymëzimi për studentët, duke u ofruar atyre një përballje të drejtpërdrejtë me jetën dhe punën e një artisteje të suksesshme, si dhe një mundësi për krijimin e urave të reja të komunikimit ndërmjet artistëve të afirmuar dhe brezit të ri të krijuesve.
Prodekania për shkencë, Prof. Ord. Nora Halimi, si promotore e nismave të këtilla vlerësoi rëndësinë e këtyre takimeve të cilat u mundësojnë studentëve të kuptojnë më thellë sfidat dhe angazhimin që kërkon krijimtaria artistike për t’i afruar ata me realitetin profesional të artit përmes rrëfimeve autentike të figurave që përfaqësojnë profesionalizëm dhe përkushtim në fushën e arteve pamore.
Fakulteti i Arteve mbetet i përkushtuar në krijimin e hapësirave të tilla që nxisin zhvillimin kulturor dhe akademik, që ushqejnë dialogun artistik dhe kulturor dhe kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më të ndjeshme dhe më të angazhuar përmes artit.