Zonja Ilmije merret me punë dore. Që 60 vjet nuk e ka lëshuar nga dora gjilpërën. Ajo thotë se vajzat e reja tani nuk dijnë asgjë nga këto punë dhe të rinjtë nuk po i përdorin më artizanatet, sepse nuk kanë durim.
“Prej në moshën 10 vjeçare kam nis të qëndis, punime e mbulesa. Të rinjtë nuk po i përdorin, shikojnë vetëm çka ka më lehtë, ngaqë këto duhet të lahen, të hekurosen, të ngrihen, kanë shumë punë. Më herët në shkollë na jepnin, vajzat punonim punëdore, tentene, lloj-lloj punimesh ka pasur. Tash shkollat asgjë s’po japin dhe femrat nuk po dijnë asgjë me punu”, theksoi Ilmie Jashari.
Zonjat e tjera, thonë se thurja dhe qepja janë relaks për trurin e gruas dhe tradita e këtillë nuk duhet të humbasë.
“Nga mosha 15 vjeçe qëndisnim, thurnim, ashtu ishte zakon. Tani nuk punohet shumë, nuk shfrytëzohet shumë, nuk përdoret, të rinjtë nuk kanë interes”, potencoi Satka Idrizi.
“Më pëlqen të punoj sepse kjo llogaritet si terapi psiqike, shpirtërore, por dikush nuk din me vlerësu, përshembull rinia. Kjo ka jetë çdoherë dhe nuk vdes asnjëhjerë dhe paraqet trashëgiminë tonë kulturore”, tha Miradie Fejzullahu.
Sot u mbajt edicioni i tretë i panairit “Artizanatet dhe gruaja”. Këtu u shfaqën punime të dorës, peceta, tentene, peshqir, veshje kombëtare, enë të dekoruara me dorë, stoli të ndryshme dhe filigrane. Medina, thotë se për tu bërë një filigrane merr kohë të gjatë dhe kërkon përkushtim.
“Duhet kohë e tepërt, sepse puna kërkon koncentrim, siç e shihni edhe vetë janë të gjitha të punuara me dorë, një nga një dhe të gjitha me madhësi të njëjtë. Ka tepër interesim të madh dhe duket sikur puna do të zhvillohet edhe më shumë”, u shpreh Medina Memeti, studente.
Vizitorët thonë se një vajzë pa ¬çejz nuk guxon të martohet. Ndërsa vajzat e reja thonë se janë pro kultivimit të traditave, por se nuk duan të blejnë ose të bëjnë çejz.
A keni përgatit çejz?
“Jo ende jo, është herët dhe nuk është se e preferojmë. Mirëpo është mirë që t’i kultivojmë vlerat tona”.
Organizatorja e ngjarjes thotë se qëllimi i këtij panairi është që të prezontohet vlera tradicionale e artizanateve.
“Qëllimi i projektit të sotëm, të titulluar “Artizanatet dhe gruaja” është që gratë tona të prezantojnë artizanatet dhe vlerat e tyre të mirëfillta, të trashëguara brez pas brezi.
Ne jemi mbledhur këtu që të prezontojmë këto vlera të mirëfillta ku një numër i madh i grave tona nga të gjitha trojet, kanë prezantuar vlerat e tyre të mirëfillta të punuara nga duart e tyre të arta”, deklaroi Kryetarja e Shoqatës “Porta Skupi”, Arlinda Kalisi.
Panairi “Artizanatet dhe gruaja” u mbajt në objektin “Suli An” të Çarshisë së Vjetër.
Kjo ngjarje u vizitua nga shumë qytetarë dhe turistë. Ndërkaq organizatorja, Arlinda Kalisi, njoftoi se vitin e ardhshëm panairi do të zgjerohet dhe do të mund të marrin pjesë gra nga të gjitha tërritoret shqiptare.