Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka mbajtur sot një konferencë për media në të cilën ka folur për zhvillimet e fundit politike, për vendimet e Kuvendit për Ushtrinë, bisedimet me Serbinë dhe letrën e Presidentit Amerikan, Donald Trump.
Veseli ka përsëritur se Kosova nuk do ta heqë taksën 100% ndaj produkteve të Serbisë derisa BE-ja ta trajtoj barabartë, ndërsa bëri të ditur se reciprociteti do të jetë baza e vendimeve për ecjen përpara.
Sipas tij, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, prandaj Bashkimi Evropian nuk mundet që Kosovën ta shikojë nga perspektiva integruese e Serbisë.
“Javën që shkoi në Kuvendin e Kosovës morëm dy vendime të mëdha: miratuam ligjet për transformimin e FSK-së në Ushtri dhe krijuam Delegacionin Shtetëror për Dialog. Të dy këto vendime pasqyrojnë përkushtimin tonë konkret për paqen, stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë në Rajonin tonë.
Falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe vendet tjera anëtare të NATO-s, që mbështetën vendimin tonë për Ushtrinë. Nga 14 dhjetori, Ballkani është më i sigurt dhe më afër përmbushjes së aspiratës euro-atlantike”, ka thënë Veseli.
Ai ka theksuar se votimi i Delegacionit për Dialogun – afirmon qartë përkushtimin e Kosovës për mirëkuptim dhe marrëveshje. Veseli shtoi se Kosova ka pritur vlerësim pozitiv nga BE për këtë, së paku për korrektësi.
“Serbia, gjithë kohën, ka bërë obstruksione në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash në Dialog.
Janë shkelur marrëveshjet për lëvizjen e qytetarëve, për energjinë, dokumentacionin kadastral, në dhjetëra raste qytetarët e Kosovës janë ndaluar e keqtrajtuar gjatë kalimit nëpër Serbi dhe mallrat e Kosovës asnjëherë nuk kanë mundur të lëvizin lirshëm në Serbi, ndërsa mallrat e Serbisë kanë hyrë në Kosovë pa respektuar ligjet e shtetit tonë”, ka thënë tutje Veseli.
Kryeparlamentari ka shtuar se në planin ndërkombëtar, Serbia ka vazhduar po ashtu me agresivitet të shtuar të pengojë integrimin e Kosovës në institucionet dhe mekanizmat ndërkombëtarë.
Sipas tij, rasti më i fundit ishte Interpoli, e që për rrjedhojë solli edhe vendosjen e taksës 100 % për produktet serbe.
“Kjo masë ishte reagim për të treguar se bllokimi sjell bllokim të dyanshëm. Kemi pritur reflektim balancues të BE-së për këtë situatë. Që ul tensionet dhe mohon politikat bllokuese për dy palët njësoj. Nuk kemi pritur që BE të reagojë vetëm ndaj nesh. Kjo mungesë balance e BE-së, te qytetarët e Kosovës, më të drejtë, ka krijuar përshtypjen e njëanshmërisë së BE-së. Thirrjet e Serbisë për heqjen e taksës dhe përsëritja e tyre nga BE-ja, pa i bërë thirrje edhe Serbisë që të heqë dorë nga qasja e saj bllokuese, po i shqetësojnë me të drejtë qytetarët e Kosovës”, ka potencuar Veseli.
Ai ka thënë se ata kërkojnë që sovraniteti e dinjiteti i shtetit tonë të mbrohet e respektohet dhe institucionet tona shtetërore pikërisht këtë po e bëjnë.
“Bllokimi i lëvizjes përpara në agjendën e Bashkimit Evropian përbën shqetësim serioz. Ai mund të ketë pasoja ndëshkuese për Kosovën, por në asnjë mënyrë nuk e ndihmon stabilitetin në Rajon dhe as vetë BE-në. Izolimi i qytetarëve të Kosovës pa lëvizje të lirë vetëm sa e rëndon më shumë këtë situatë. Argumentet e tipit se me krijimin e shtetit të Kosovës, Serbia ka humbur shumë, dhe tani është koha që edhe Kosova të humbë diçka, nuk janë racionale dhe nuk i shërbejnë as paqes, as pajtimit dhe as arritjes së marrëveshjes mes dy vendeve”, ka thënë tutje Veseli.
Sipas tij, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe Bashkimi Evropian nuk mundet që Kosovën ta shikojë nga perspektiva integruese e Serbisë.
“Rruga e Kosovës për në Bruksel nuk kalon, as nuk ka për të kaluar përmes Beogradit. Serbia duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe është e detyruar të jetojë me këtë fakt në shekujt që do të vijnë. Nëse s’e kupton, ne do ta bëjmë që ta ndjejë shtetin e Kosovës çdo ditë e më shumë. Ne presim nga BE që në Dialog të garantojë parimin e trajtimit të barabartë të palëve dhe përfitimet e dyanshme prej tij”, ka theksuar tutje Veseli.
Kryetari i PDK-së ka bërë të ditur se pret nga BE që ta trajtojë seriozisht dhe në mënyrë të balancuar çështjen e bllokadave të dyanshme.
“Kosova nuk do të veprojë njëanshëm në heqjen e taksës. Taksa nuk është problemi i vetëm dhe as më i madhi. Trajtimi i barabartë dhe reciprociteti janë rrugëzgjidhja”, ka përfunduar Veseli.