“Qytetarët janë të vetëdijshëm për të gjitha dobësitë e tona, por edhe për të gjitha përparësitë e tona dhe do të bëjnë krahasime serioze me kandidatët e tjerë nga të gjitha ofertat e tjera. Plotësisht jam i lehtësuar për vendimin e qytetarëve, por besoj në fitore dhe se timoni duhet të mbetet te LSDM-ja për shkak të politikave tona të deritanishme. Në fitore besoj për shkak të kandidatëve më të mirë, koalicionit më të gjerë, programeve më të mira dhe sepse prijmë në anketa. Për mua është e rëndësishme që t’i motivoj, të ofroj ofertë të mirë. Bëmë nga 80 anketa për atë se çka është më e rëndësishme në çdo komunë, sepse të dhënat tona japin përparësi… Katër partitë e mëdha kemi buxhet nga shteti për hulumtim, që t’i gjejmë këshilltarët më të mirë dhe kryetarët që të marrim vendim”, tha Zaevi sonte në Ditarin e TV Sitell, ku ishte mysafir.
Ai nuk e sheh si kërcënim koalicionin e paralajmëruar ndërmjet Aleancës për Shqiptarët dhe VMRO-DPMNE-së, por konsideron se mbështetësit e tyre nuk do të votojnë për partinë tjetër sepse ky është reflektim i politikave të tyre.
“Kush si të dojë le të hyjë në koalicion, ne jemi përgjegjës para qytetarëve dhe ata na vlerësojnë sipas vendimeve të cilat i marrim. Por politikat që janë etnocentrike dhe janë kundër shoqërisë sonë multietnike dhe flasin për Maqedoni të pastër është shkaku i parë për të cilin nuk më trembet syri nëse dikush do të hyjë në ndonjë koalicion. Them se mbështetësit e Aleancës nuk do të votojnë për VMRO-DPMNE-në, e as mbështetësit e VMRO-DPMNE-së nuk do të votojnë për Aleancën. Jo se mua kjo më pëlqen, por kjo është reflektim i politikave të tyre të cilat janë radikale”, tha Zaevi, sipas të cilit Mickovski nuk ka qëndrim kur nga një anë e fton në koalicion partinë E majta e cila, tha, është kundër shqiptarëve, ndërsa nga ana tjetër hyn në koalicion me një parti politike shqiptare.
E majta refuzoi bashkëpunimin me Mickovskin, por as Zaevi nuk planifikon bashkëpunim me partinë e Dimitar Apasievit sepse, siç tha, ka qëndrime radikale politike dhe janë hapur kundër NATO-s, shqiptarëve dhe pakicave të tjera, partnerëve strategjikë BE dhe SHBA dhe kundër fqinjëve.