Asani: Figura e Nënës Terezë, meriton një qasje tjetër, më substanciale

Për figurën e Shenjtores Nënë Tereza janë realizuar shumë vepra letrare e figurative, emri dhe vepra e saj ka frymëzuar kompozitorë e kineast të ndryshëm, por kësaj gruaje të madhe ne ia kemi edhe një detyrim moral e ligjor, që do ta bënte atë pjesë të kulturës sonë të respektit dhe nderimit ndaj saj.

Marketing

ITSHKSH ka inicuar, në formë të një elaborati, idenë për ta vendosur nën mbrojtje të shtetit emrin dhe veprën e Nënës Terezes, duke i dhënë vendin e merituar trashëgimisë së saj në kujtesën tonë kolektive.

Arsyet pse kemi inicuar këtë ide, janë të shumta, por me këtë rast po përmendi vetëm dy prej tyre:

E para – kur një personalitet shpallet i shenjt, qëndrimi ndaj atij personaliteti duhet të jetë shumë korrekt dhe konform normave të mirënjohura që parashihen për raste të tilla. Ne si shoqëri nuk kemi gjithaq përvojë në kultivimin e kulturës së receptimit kolektiv ndaj personaliteteve të tilla, për shkak të rrethanave politike e sociale nëpër të cilat kemi kaluar. Dhe kjo detyrimisht na nxit të gjejmë formën e duhur të kujdesit institucional.

Dhe e dyta- mungesa e kulturës së receptimit kolektiv ka ndikuar që individë e grupe të ndryshme t’i japin vetes të drejtë të interpretojnë dhe deformojnë biografinë e Nënës Tereze, sipas kritereve jo të qëndrueshme, duke shkaktuar edhe ndasi të panevojshme në shoqëri.

Duke u nisur nga këto arsye, por edhe nga shumë arsye të tjera, ne si Institut, në kuadër të Departamentit të Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze, kemi grumbulluar fakte e argumente për ta mbështetur idenë që kjo Shenjtore e jona të vendoset nën mbrotje të shtetit, me ç’rast kemi botuar edhe elaboratin, i cili tash më ndodhet në zyrat kryesore të instucioneve tona dhe së shpejti edhe në zyrat e diplomatëve të huaj që ndodhen në vendin tonë.

Nganjëherë nuk mjafton ta nderosh dhe respektosh një personalitet. Nëse nuk i kemi mekanizmat e nevojshëm për të ngritur në nivel shtetëtor kujdesin ndaj personaliteteve të shquara, siç është edhe Nënë Tereza, atëherë respekti ndaj tyre do të kufizohej vetëm në suaza të njerëzve vullnetmirë, gjë që nuk mjafton.

Një shoqëri nuk trajtohet nëpër libra të historisë vetëm për shkak të kalurës së saj të pasur. Mbi të gjitha, një shoqëri do të arrij të vendos ura komunkimi në mes të kaluares, të sotmes dhe të ardhmes së saj, vetëm përmes qëndrimit që ndërtojmë ndaj vlerave që transmetohen përmes personaliteteve të caktuara.

Shenjtorën tonë- Nënën Tereze, brezat që vijnë nuk do ta njihnin sa duhet dhe si duhet, nëse ne që sot nuk e vendosim atë në vendin emerituar në skedat e kujtesës kolektive. Por, kjo mund të bëhet vetëm nëse institucionet shtetëtërore përmes mekanizmave ligjor e mbrojnë emrin dhe veprën e saj dhe i japin një dimension më të thellë përkushtimit ndaj Nënës Tereze.

Edhe dita e sotme që ndërlidhet me ditëlindjen e Nënës Tereze, mund të na shërbejë si një shkas për të reflektuar dhe tërhequr, me veprimet tona, gjithë vëmendjen ndaj kësaj figure kolosale. Shpresoj që kjo vëmendje tash e tutje do të ketë fokusin e merituar në institucionet shtetërore, duke kaluar nga evokimi në materializim të figurës së Nënës Tereze, përmes një kornize juridike e cila do të shpallte atë aset shtetëror nën mbrojtje të ligjit.

Ju ftoj të gjithëve që, tash e tutje, krahas luleve që do të vendosen mbi pllakën përkujtimore të Shenjtores sonë, të sjellim edhe një qasje tjetër, më substanciale, ndaj kësaj figure, e cila do ta në bënte më të dinjitetshëm në sytë e botës.

Shkup, 26. 08. 2021
Prof.dr. Skender Asani – drejtor i ITSHKSH – Shkup