Një përgjigje ndaj gjithë atyre që po kërkojnë me shpejtësi të rikthehet gjendja siç ka qenë më parë në kompleksin që shënon gjurmët e dikurshme të shtëpisë së lindjes së Nënë Terezës.
Nga:
Dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH-Shkup
Shkup, 20.05.2020 – Pas një beteje të gjatë publike-mediatike, Qyteti i Shkupit dhe ITSHKSH gjetën një pakt mirëkuptimi që situata problematike rreth zhvendosjes së gjurmëve që lidhen me trashëgiminë e Nënës Terezë, të rikthehen në gjendjen e mëparshme.
Na vjen mirë që autoritetet e Shkupit reflektuan pozitivisht dhe zgjodhën rrugën e shtegdaljes, duke i lënë hapësirë dialogut dhe zgjidhjes me konstruktivitet të problemeve të paraqitura. Fillimisht u premtua se do të hapet një qasje që do të shërbejë si shteg për pelegrinazh në pllakën përkujtimore që shënon vendndodhjen e shtëpisë së lindjes së Nënë Terezës dhe kjo u bë me vendosjen e zhavorit, pastaj edhe të disa pllakave, por krejt këto në funksion të gjetjes së zgjidhjes sa më adekuate.
Ne shpresojmë se ky projekt do të përfundojë brenda pak ditësh dhe kryetari i Shkupit, z. Shilegov, do ta mbajë fjalën, duke rivendosur shenjat e themeleve të shtëpisë së lindjes së Nënës Tereze dhe hapjen e një shtegu për pelegrinazh. Me këtë do të shuhet edhe kureshtja e gjithë atyre që këtyre dy ditëve ishin shumë të zellshëm me komente nga më të ndryshmet nëpër rrjetet sociale.
Krejt këtë sqarim po e bëj në funksion të përgjigjes ndaj të gjithë skeptikëve qëllimmirë të cilët kërkojnë që brenda natës të kryhen këto punë, por, siç thotë populli, punët e mira vijnë ngadalë. Prandaj nuk kemi arsye të mos besojmë se Qytetit i Shkupit, ndonëse ka pranuar se ka qenë i ekspozuar ndaj presionit publik, kësaj radhe do të jetë anën e duhur të krejt kësaj historie, duke u bërë edhe vet pjesë e ruajtjes dhe kujdesit ndaj trashëgimisë shpirtërore e materiale të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë.
Ne në asnjë moment nuk kemi dashur që ta radikalizojmë situatën, qoftë me veprime konkrete, qoftë me gjuhën e shprehur publike, për arsye se konsiderojmë se Nënë Tereza nuk e meriton që të bëhet mollë sherri në mes të komuniteteve të ndryshme që jetojnë në këto hapësira dhe më së paku të jemi ne si institucion shkaktar i polarizimeve të panevojshme. Përkundrazi, pikërisht fryma e saj e tolerancës dhe mirëkuptimit na ka shërbyer edhe neve, qoftë duke hapur fillimisht një Departament për mbrojtjen dhe studimin e figurës dhe veprës së Nënës Terezë, qoftë duke dëshmuar me sjelljen tonë kulturën e mirëkuptimit qytetar, në mënyrë që edhe qytetit të Shkupit t’i lihet hapësirë për reflektim pozitiv.
Me këtë rast dua të them se në këtë betejë humane e civile nuk ishim vetëm, ndaj falënderoj publikisht edhe të gjitha ata që na mbështetën, sidomos Universitetin “Nënë Tereza”, IN Shtëpia Përkujtimore “Nënë Tereza”, shoqatat joqeveritare në Shkup e Strugë që mbajnë emrin e nobelstes sonë, mediat dhe gazetarët si dhe të gjithë individët vullnetmirë.