Asani: Skënderbeu mbrojti civilizimin evropian

Skënderbeu nuk është vetëm figurë e popullit shqiptar, por është një figurë e Ballkanit, Evropës dhe më gjerë, pasi roli i tij në mbrojtjen e civilizimit evropian është jashtëzakonisht i madh, u tha në Konferencën e Ballkanologjisë, të organizuar nga ITShKShM, ku u promovuan tre vepra që i dedikohen heroit shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Marketing

Drejtori i ITShKShM-së, Skender Asani, tha se edhe Shkupi në mënyrë të denjë ka shënuar 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, që ndryshe u quajt “Viti i Skënderbeu”.

“Jemi munduar që edhe Shkupi të japë një kontribut të rëndësishëm për këtë figurë kombëtare e cila figurë e unifikon jo vetëm popullin shqiptar por edhe popujt e Ballkanit i përafron në qëllimet e unifikimit dhe orientimit euro-perëndimor. Besojmë që do t’ia dalim mbarë edhe në shënimin për Kongresin e Manastirit”,- tha drejtori i ITShKShM-së, Skender Asani.

“Skënderbeu në vendet nordike”, “Shkupi për vitin e Skënderbeut” dhe “Studime albanologjike”, janë tre titujt e librave që u promovuan me këtë rast. Referuesit vlerësuan se në këto botime vihet në pah se Skënderbeu është një figurë unifikuese jo vetëm tek shqiptarët, por edhe më gjerë.

“Skënderbeu është prijësi dhe heroi më i madh në histori. Kështu cilësoi historiani skandinav, Ludvig Holberg, në vitin 1739. Botimi në fjalë na sjell në gjuhën shqipe rrëfimin e këtij historiani dhe tregon për hapjen e historisë së figurës së Skënderbeut në vendet nordike, duke filluar qysh në viti 1709 me një libër të botuar në Danimarkë”,- tha drejtori i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante – Tiranë, David Hooselfook.

“Libri “Shkupi për vitin e Skënderbeut”, siç shihet edhe nga vet titulli, është një kontribut i posaçëm dhe përkujtimor për shënimin e vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut. Me këtë Shkupi iu është bashkangjitur Tiranës, Prishtinës dhe viseve tjera mbarëkombëtare për të manifestuar dhe nderuar heroin tonë kombëtar në 550 vjetorin e vdekjes”,- tha Sevdail Demiri nga ITShKShM.

“Në këtë numër të revistës që i kushtohet Skënderbeut përfshihen 16 shkrime, studime materiale, tregime për Skënderbeun dhe epokën e tij me prurjet e reja nga fushat e historisë, gjuhësisë, letërsisë, etnografisë etj”,- theksoi kryeredaktori i Revistës “Studime Albanologjike”, Qamil Murati.

Aktivitetet në shenjë të vitit të Skënderbeut kanë filluar me mbajtjen e akademisë solemne në Kuvendin e Maqedonisë më datën 17 janar, që simbolizon vdekjen e Skënderbeut dhe duhet të përfundojnë më 22 nëntor – Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Marketing