ASH-AA: Kjo është qeveri antieruopiane dhe e dëmshme për qytetarët

Këtë ditë, kur u shënua Dita e Europës, i dëgjuam dhe lexuam edhe
dhjetëra deklarata e postime të funksionarëve të këtij pushteti, që
sikur mos t’i njihnim se kush janë dhe sikur mos t’ua dinim veprat, do
të besonim se krejt barra e BE-së ka rënë mbi supet e tyre.
E që të mos mendojnë se qytetarët nuk e dinë se kush janë ata dhe
cilat janë veprat e tyre, do ua kujtojmë sot disa elemente, për të
dëshmuar se ata për gjithçka mund të mërziten, pos për integrimin e
Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian. Disa nga arsyet e këtij
konstatimi janë edhe këto:
– Kjo qeveri është formuar mbi paradigmën e mashtrimit “kryeministri
shqiptar”, duke u shndërruar kështu në pushtetin ekzekutiv që ka
rrënuar çdo kriter demokratik dhe moral të pjesëmarrjes në zgjedhje;
– Kjo qeveri ka ardhur si rezultat i zgjedhjeve të 15 korrikut të
vitit 2020, të cilat për ne janë jolegjitime, ngase në këto zgjedhje
manipulimi i votës, vjedhja, blerja dhe format e tjera të deformimit
të vullnetit demokratik u bënë standard i një shteti që, së paku,
zyrtarisht aspiron për të qenë anëtar i BE-së;
– Ky pushtet i ka dhënë tokë ndërtimore në vlerë prej 200 milionë
eurosh një afaristi kontrovers, siç është Daka Davidoviq, që
sponsorizon agjenda antierupiane në rajon;
– Kjo qeveri ka dështuar plotësisht me sistemin arsimor në kohë
pandemie, ndërsa rezultatet e këtij dështimi do t’i ndjejmë edhe shumë
kohë në të ardhmen;
– Kjo qeveri ka bërë që të humben mbi 60 mijë vende pune dhe ekonomia
vendore të vihet buzë greminës;
– Kjo qeveri është sjellë ndaj pandemisë në stilin “Le të shpëtojë
kush si mundet!”, andaj sot shkalla e vdekjeve në RMV është më e
larta, ndërsa imunizimi ndër më të ulëtit në Europë;
– Kjo qeveri ka mundësuar të pajisen me pasaporta mbi 200 kriminelë
ordinerë ndërkombëtarë, që kërkohen në gjithë botën, me çka dëshmon se
RMV-ja është bërë strehimore për kriminelët, ndërsa ky pushtet është
thellë i përfshirë në krim të organizuar ndërkombëtar;
– Kjo qeveri sot “mburret” vetëm me kanabizimin e shtetit, ku
drejtuesit e policisë janë bashkëpunëtorët më të ngushët të
narko-dilerëve;
– Në listat e vetme ku kjo qeveri e ka vendosur shtetin tonë në krye
janë indekset e korrupsionit, kjo e shfaqur bile edhe në blerjen e
vaksinave;
– Duke e ditur se drejtësia është vlera fondamentale e BE-së, kjo
qeveri e ka bërë të kundërtën – politizimin, etnizimin dhe partizimin
e sistemit të drejtësisë;
– Kësaj qeverie selia e NATO-s nuk ia pranon emrat për oficerë në
NATO, kjo për shkak të përfshirjes së tyre në shërbime inteligjente
antiperëndimore;
– Së fundmi, kjo qeveri synon të bëjë edhe abuzimin me mediat, në
mënyrë që ta ngufasë fjalën e lirë dhe të drejtën e informimit
objektiv, që janë parime themelore europiane.

Marketing

Krejt këto që i përmendëm shkurtimisht, për shkak të hapësirës së
ngushtë, por edhe shumë elemente të tjera, që nuk arritëm t’i
përfshijmë, janë dëshmia më e mirë se ky shtet e ka marrë tërkuzën
nëpër këmbë dhe ka hequr dorë nga integrimi europian. Parametrat janë
këto, ndonëse fjalën mund t’i kenë të tjera.
Andaj, duke e pasur këtë bilanc antiintegrues, ne – Koalicioni Aleanca
për Shqiptarët & AlternAtivA – gjykojmë se shpëtimi i vetëm për t’u
kthyer në agjendën europiane është që ky pushtet të ikë sa më shpejt
dhe të hapet perspektiva për një frymë integruese në BE. Zgjedhjet e
parakohshme dhe një shumicë e re mund të ndërtojnë një rrëfim tjetër
për Maqedoninë e Veriut karshi procesit integrues në Bashkimin Europian.