ASH-AAA: Qeveria dështoi për masat dhe vaksinimin

Maqedonia e Veriut, për fat të keq, po hyn në valën e katërt të pandemisë COVID 19. Kemi të bëjmë me virus i cili në nivel botëror shkaktoi vdekje, invaliditet dhe dëme ekonomike, por fatkeqësia më e madhe e jona është qasja kaotike e qeverisë, keqmenaxhimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe vendimet jo adekuate e shpesh amatore nga ana Komisionit për Sëmundje Ngjitëse.

Marketing

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa prej fillimit ka pasur qasje serioze, profesionale dhe me kritika e propozime konkrete ka ndjekur “murtajën” e shekullit 21. Humbja e kohës është emëruesi i përbashkët i punës së institucioneve përkatëse dhe më jo humanja, politikat populiste dhe fitimi i poenave të ulta politike në kurriz të shëndetit publik. Pamjaftueshmëria dhe kapacitetet e ulta të Qeverisë për menaxhim me fatkeqësitë natyrore u dëshmua edhe gjatë vërshimeve si dhe zjarreve që u paraqitën javëve të fundit.

Edhe pse Organizata Botërore e Shëndetësisë sugjeroi të gjitha shtetet që të kenë kujdes me zbutjen e masave kundër kovidit, qeveria vazhdoi avazin e vjetër dhe nuk mori parasysh këto sugjerime. Poashtu dështoi menaxhimi i vaksinimit masiv të popullatës për shkak të mungesës së vaksinave dhe politikat e gabuara për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për përparsitë dhe benefitet nga vaksinimi kundër virusit SARS CoV 2.

Jemi dëshmitarë se ditët e fundit numri i të infektuarve nga varianti Delta apo mutacioni i Indisë po infekton numër të madh të njerëzve edhe në Maqedoninë e Veriut. Duke u gjendur në situatë të palakmueshme Qeveria vendosi të shpallë masa të reja restriktive me anë të disa kushtëzimeve. Kushtëzimet përkthehen në obligime, prandaj edhe masat e reja të Qeverisë me të cilat “lejohen” qytetarët të shijojnë të drejtat e tyre me kusht që të jenë të vaksinuar nuk janë gjë tjetër veç se obligim i kamofluar në kusht që rrit skepticizmin dhe ndikon negativisht në ekonominë e vendit.

Ky vaksinim obligativ rrit frikën e qytetarëve për ta pranuar vaksinën, ndërsa është edhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut. Në këtë drejtim shkelet e drejta e qytetarëve për të zgjedhur ndërsa qytetarët të cilët nuk pranojnë të vaksinohen diskriminohen dhe u cenohen të drejtat e garantuara me ligj. Gjithashtu nga masat e dështuara të kësaj qeverie qytetarët po varfërohen derisa ekonomia e vendit është në rënie të vazhdueshme.Nga ana tjetër si pasojë e masave të reja është shkaktuar kaos dhe tollovi para pikave të vaksinimit që ndikon në përhapjen e virusit dhe dëshmon se në Maqedoni ka shumë pak antivakser e më shumë qytetar të painformuar, të keqinformuar apo të pamotivuar.

Prandaj si koalicion opozitar kërkojmë heqjen e këtyre masave apo modifikimin e tyre në bashkëpunim me profesionistët e fushës të cilët në mënyrë permanente neglizhohen nga autoritetet shëndetësore për arsye që edhe ne nuk mund t’i kuptojmë. Ndër shekuj kemi raste të ndryshme me të cilat dëshmohet se përkundër shumë refuzimeve vaksina ka qenë arma më e fortë për mbrojtje të shëndetit publik, prandaj edhe në rastin tonë vaksinimi është shpresë për rikthim në normalitet.

Mbrojtja e integritetit tonë fizik, moral dhe psikologjik është detyrë e gjithsecilit nga ne, prandaj edhe ne si ASh-AAA jemi pro vaksinimit, por jemi kundër detyrimit. Është detyrë e qeverisë të gjejë mënyra tjera për t’i bindur qytetarët të pranojnë vaksinën.

Detyrimi nuk është zgjidhje!

Marketing