ASH del me kërkesat e saj për zgjidhjen e krizës pas rastit “Reket”

Nënkryetari i Aleancës për Shqiptarët, Elmi Aziri sot përmes një konference ka shpalosur kërkesat e partisë së tyre lidhur me krizën e krijuar dhe rrënimin e sistemit të drejtësisë.

Marketing
“Sistemi i drejtësisë dhe politika qeveritare janë në lidhje të fortë me veprimet korruptive kriminale dhe joligjore. Rasti “Reket” ka godit shpresën e qytetarëve për një sistem drejtësie të pavarur që do të rikthente besimin tek qytetarëve dhe që do të ishte konform vlerave euroatlantike”, theksoi Aziri.

Sipas tij, këto veprime nxisin shumë dilema dhe enigma, se mos vallë edhe në raste të tjera të Prokurorisë Speciale, për arsye të ndryshme nuk janë procesuar deri tani siç ishte rasti “Pacienti”, “Maxhar Telekom”, “Titanik 2”, andaj siç tha ai lind pyetje dhe dyshimi se pse nuk janë procesuar këto raste.

Aziri tha se ASH kërkon angazhim dhe mbështetje më të madhe nga bashkësia ndërkombëtare si SHBA dhe BE, duke u kyçur në organizimin e një takimi të liderëve të partive kryesore, për hapjen e procesit të zgjidhjes së kësaj krize.

“Përshëndesim porositë e qarta të aleatëve tanë ndërkombëtar, që potencuan se fillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE është ngusht i lidhur me zbardhjen e plotë të rastit të fundit “Reket” dhe rasteve tjera. Drejtësia është e kapur nga politika dhe kemi krizë të thellë politike. Ne si ASH bëjmë apel tek përfaqësuesit ndërkombëtarë si SHBA dhe BE që ta shtojnë aktivitetin e tyre, jo vetëm përmes deklaratave, por të jenë dinamik dhe propozojmë që me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare të organizohet tryeza e liderëve ku do të shtrohen çështjet kryesore politike, ku me prioritet do të jenë kodi zgjedhor, pastrimi i listave, ligji për Prokurorinë Speciale dhe Ligji për regjistrimin. Po ashtu do të jenë qeveria teknike dhe zgjedhjet e parakohshme”, theksoi Aziri.

Sipas tij, qëndrimi i qartë i ASH-së është se duhet që të zgjedhet një prokuror special nga vendet e BE ose nga SHBA, pikërisht për shkak të faktit se në rastin e fundit u dëshmua se institucionet e derjtësisë nuk kanë kapacitet, vullnet dhe dëshirë që të trajtojnë në mënyrë të pavarur rastet që ndodhën dhe që kanë qenë të montuara.