Aleanca për Shqiptarët mbështet çdo investim në shëndetësi por shpreh shqetësimin e thellë për shpërndarjen e pabarabartë të investimeve në sektorin e shëndetësisë nga qeveria aktuale. Ndërsa miliona euro po planifikohen për investime në Spitalin “8 Shtatori” në Shkup, spitalet klinike rajonale në Tetovë dhe Shtip po vazhdojnë të përballen me kushte të papranueshme dhe mungesë investimesh.
Qeveria po e trajton shëndetësinë si një sistem me dy nivele: një për Shkupin dhe një tjetër për rajonet. Ky është një diskriminim flagrant ndaj pacientëve të Tetovës, Shtipit dhe gjithë rajoneve jashtë kryeqytetit, të cilët kanë të njëjtën të drejtë për shërbime shëndetësore cilësore.
Pavarësisht premtimeve të shumta, Spitali Klinik i Tetovës dhe ai i Shtipit vazhdojnë të kenë infrastrukturë të amortizuar, mungesë pajisjesh moderne dhe kapacitete të kufizuara për trajtimin e pacientëve. Ndërkohë, qeveria ka vendosur që fondet publike të orientohen vetëm drejt një spitali në kryeqytet, duke injoruar nevojat e spitaleve rajonale.
Aleanca për Shqiptarët kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që:
1. Të bëjë publike kriteret mbi bazën e të cilave është vendosur investimi në “8 Shtatorin”, duke lënë jashtë Tetovën dhe Shtipin.
2. Të rishikojë urgjentisht buxhetin e shëndetësisë për të përfshirë investime konkrete në spitalet rajonale, sidomos në Tetovë dhe Shtip.
3. Të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të siguruar trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët, pavarësisht se ku jetojnë.
Aleanca për Shqiptarët do të ndjekë këtë çështje me të gjitha mjetet politike dhe institucionale për të garantuar që pacientët e Tetovës, Shtipit dhe gjithë rajoneve të kenë qasje në shëndetësi cilësore, njësoj si qytetarët e Shkupit.