ASH në qytetin e Shkupit, një këmbë në pushtet, një në opozitë

Në tetor të vitit të kaluar Danella Arsovska festoi fitoren si kryetare e Qytetit të Shkupit. Për të votuan edhe qytetarë shqiptar, ndërsa në festë nuk mungoi as flamuri kuqezi. Arsovska atë kohë u përkrah nga Aleanca për Shqiptarët, e si rezultat i fitores, kësaj partie i takoi posti i drejtorit të NP “Higjienës Komunale”.

Marketing

Por, pas incidentit me armë në sheshin Skënderbeu, Arsovska shkarkoi Zudi Enuzi-Koka nga posti drejtorit për shkak se vëllai i tij shtiu me armë në qiell.

Sot nga Qyteti i Shkupit njoftuan se në vend të Kokës për drejtoreshë është emëruar Kosana Mazneva, me cka ky post më nuk i takon ASH-së.

Por vetëm një ditë pas u shkarkua Zudi Koka, nga partia e Selës, të paktën në mënyrë deklarative u tha se ndërpritet çdo lloj bashkëpunimin VMRO-DPMNE-në.

“Mendoj se këtu përfundon tregimi jonë në Shkup sepse që të shkarkohet ai duhet kryetarja së pari të konsultohet me ne. Këtë e flas personalisht, jo në emër të partisë, megjithatë sot do të kemi edhe mbledhje të partisë”, tha Arben Taravari, nënkryetar i ASH-së.

“Dhe për ta konfirmuar këtë si pasojë e zhvillimeve të fundit, thirrjeve anti-shqiptare, inskenimeve të cilat mendja jonë e shëndoshë as nuk mund ti kuptojë, ne i japim fund çdo lloj bashkëpunimi me VMRO-DPMNE-në për sa kohë këto subjekte politike nuk reflektojnë dhe nuk ndërpresin logjikën e përfitimit politik duke anatemuar shqiptarët gjithnjë e më shumë”, tha Vjollcë Berisha, sekretare e përgjithshme e Ash-së.

Megjithatë në Qytetin e Shkupit Aleanca për Shqiptarët vazhdon ta mbajë postin e nënkryetares. Bujare Abazi ende është në detyrë, bashkë me disa zëvendësdrejtorë në disa ndërmarrje publike.(TV21)