Aleanca për Shqiptarët ka akuzuar ministrin e jashtëm, Bujar Osmani, dhe kryeministrin Zaev, për izolim të vendit, duke e lokuar procesin integrues. Zëdhënësi i kësaj partie, Flakron Bexheti, ka kritikuar Osmanin se së bashku me kryeministrin Zaev kanë lobuar në korridoret evropiane për shkëputje nga Shqipëria, me pretendimin se Shqipëria e pengon Maqedoninë në rrugën evropiane, e tani kanë ndërruar pozicion dhe po lobojnë që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të mos ndahen për fillim të bisedimeve me BE-në.
“Dështimeve të tyre u është shtuar edhe paaftësia për të zgjidhur kontestin me Bullgarinë. Vendi dhe qytetarët tanë kurrë nuk kanë qenë më te izoluar. Po aq herë Bujar Osmani ka gënjyer se ka fituar datë për hapje të negociatave dhe ka mbuluar dështimet e tij dhe ato të Qeverisë LSDM-BDI me udhëtime nëpër Evropë sa për fotografi, të paguara nga tatimpaguesit. Kulmin e kishte arritur më 2018 me fotografitë qesharake nga aeroplani privat kur na siguronte se kjo punë u kry.
Gjithë këto vite, Osmani bashkë me Zaev dhe Dimitrov kanë lobuar në korridoret evropiane për shkëputje nga Shqipëria duke e paraqitur këtë të fundit si pengesë në rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Tani që institucionet evropiane po flasin hapur se Shqipëria i ka kryer detyrat dhe se problemi është te Maqedonia e Veriut, Osmani ka ndërruar pozicionin dhe po lobon që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të mos ndahen, pra saktësisht të kundërtën e asaj që kishte bërë për tre vite me radhë. Ministri i Punëve të Jashte Bujar Osmani është bërë maskotë e izolimit dhe e dështimit të integrimit për Maqedoninë e Veriut, por tani kjo maskotë po kalon kufijtë dhe po dëmton edhe Shqipërinë.”, tha zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët, Flakron Bexheti.