Asnjë njeri nuk është ishull

Në çastet e lumturisë madhëro Zotin. Në çastet e vështira kërko Zotin. Në çastet e e qetësisë adhuro Zotin. Në çastet e dhembjes mbështetu te Zoti. Në çdo çast falendero Zotin.(Autor i panjohur)
Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Marketing

“Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se ata janë pajisur nga Krijuesi i tyre me të drejta të patjetërsueshme, se midis këtyre të drejtave janë Jeta, Liria dhe kërkimi i Lumturisë…”.

Ky citat është në fakt përkthim i fillimit të Deklaratës së Pavarësisë të Shteteve të Bashkuara, e miratuar nga mbledhja e Kongresit të Dytë Kontinental në Filadelfia, Pensilvani më 4 korrik 1776.Pra, ky parim mbi të cilin në masë të konsiderueshme mbështetet ajo që sot quhet demokraci, është paraparë si udhërrëfyes politik qysh para 250 vjetësh.

Dhe, anipse mund të debatohet mjaftë rreth asaj se sa është aplikuar ky parim në jetën praktike të shteteve që quhen demokratike, mbetet e vërteta se ai është synim i çdo njeriu që jeton në këtë botë, pa marrë parasysh përkatësinë e tijë fetare, kombëtare e racore. A ekziston një njeri që nuk dëshiron sigurinë, që nuk e do lirinë, që nuk e kërkon mundësinë për të qenë i lumtur ? Jo, nuk ekziston !

Dy shekuj e gjysmë më vonë, pas luftërave të shumta dhe revolucioneve të përgjakshme, pas kryengritjeve e përmbysjeve të sistemeve totalitare e diktatoriale, pas shpërthimit teknik e teknologjik të paimagjinueshëm, jeta e shumë njerëzve nuk vlen as pesë pare, liria në shumë vende të botës është e kushtëzuar, kurse kërkimi i lumturisë është i pakuptimtë.

Jetën e njeriut e dirigjojnë përbindësha të veshur në kostum politik që përpiqen të ngulitin në mendjen e njerëzve faktin se liria e tyre është aq sa janë të gatshëm t’ua dhurojnë ata. Njeriu i rëndomtë gjithandej po ballafaqohet me hapsanexhinjë të lirisë dhe me ndërtues të mureve e të rrethojave me tela gjemborë.

“Asnjë njeri nuk është ishull i vetmuar/ Çdo njeri është pjesë e kontinentit, pjesë e tokës/Vdekja e çdo njeriu është edhe vdekja ime…”. Kështu afërsisht ka kënduar dikur poeti anglez John Donne(1572 – 1631) duke ju lënë porosi brezave pas tijë që të vetëdijësohen dhe të marrin në konsideratë urdhrat e Zotit lidhur me të drejtat dhe liritë e çdo njeriu, me barabarësinë, me dashurinë ndaj njëri tjetrit.

Dhe, s’do mendë se poeti duhet të kishte qenë i frikësuar qysh atëbotë nga padrejtësitë që janë ushtruar ndaj njerëzve të rëndomtë nga sunduesit e tyre. Por, jam i bindur se ai nuk ka mundur të imagjinojë lumenjtë e njerëzve që aktualisht po vërshojnë shtigjet e ikjes për të shpëtuar kokën, fëmijët dhe familjen nga luftërat e pakuptimta, nga terrori, nga varfëria, pamjet televizive që të rrënqethin, refugjatët që me ditë të tëra qëndrojnë në det duke synuar të prekin ndonjë ishull të lumturisë e që në fakt po ju rezulton të jetë ishull i dhembjes.

Mjerisht, ngadalë dhe padiktueshëm, po krijohet një psikologji e ishullizimit të njeriut, çdo njeri po bëhet ishull në vehte dhe ishull për vehten. Gjithandej njerëz të të huajësuar nga njëri tjetri, një vetmi e përgjithshme, një mungesë e dukshme e solidaritetit dhe humanitetit.

Njerëz fatkeqë, ikanakë, imigrantë dhe azilantë, valë valë po e vërshojnë Ballkanin dhe Evropën me intensitete të ndryshme dhe kryesisht po hasin në bariera me gjemba që po ua ndërprejnë udhëtimin e po i kthejnë pas.

Përkrahja individuale dhe ajo e organizatave humanitare është vetëm një lehtësim moral për njerëzit që kanë humbur gjithçka, është rrezatim zbehtë i bindjes se asnjë njeri nuk është ishull.

Pra, qëndrimi ndaj njerëzve që poi kin nga mjerimi dhe po përpiqen të gjejnë një fije shprese e lumturie, në fakt është qëndrimi që ne kemi ndaj asaj që është e ndryshme, është frika që e ndjejmë nga “i huaji”.

Duke parë se në fqinjësi gjithnjë e më shumë po forcohen orientimet ekstreme djathtiste dhe nacionalizmi, duke konstatuar se Evropa po bëhet një bashkësi e interesave të ndryshme politike e ekonomike, është e arsyeshme frika se njëkohësisht me rritjen e animozitetit ndaj të huajve do të rritet dhe intensifikohet edhe urrejtja e brëndshme mes pjesëtarëve të kulturave e të përkatësive të ndryshme.

S’ do mendë se zgjidhje e vetme për problemet që po formësohen në horizont është krijimi i një vizioni të përbashkët që do të pamundësonte jetësimin e ideve dhe të forcave të cilat njerëzit e ndryshëm i shohin si ishuj. Ky vision i përbashkët nënkupton respektimin e tërësishëm të principeve demokratike që thonë se “të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se ata janë pajisur nga Krijuesi i tyre me të drejta të patjetërsueshme, se midis këtyre të drejtave janë Jeta, Liria dhe kërkimi i Lumturisë…”. Vetëm një vizion i këtillë do të parandalonte ngritjen e rrethojave me gjemba që ngriten për fatkeqët dhe heqen për diktatorët azilkërkues.

Një vizion i këtillë do të thotë se çdo njeri dhe çdo popull është pjesë e njerëzimit dhe çdo shkelje e të drejtave të një njeriu paraqet shkelje të drejtave të tërë njerëzimit. Asnjë njeri nuk është ishull dhe asnjë kolektivitet nuk është ishull, asnjë kulturë, asnjë bashkësi.

Dhe, të mos harojmë, në çastet e lumturisë duhet madhëruar Zotin, në çastet e vështira duhet kërkuar Zotin, në çastet e qetësisë duhet adhuruar Zotin, në çastet e dhembjes duhet mbështetur te Zoti. Dhe, në çdo çast duhet falenderuar Zotin.