
Atalanta është skuadra e dytë italiane që është eliminuar në plejofin e fazës nokaut të Championsit. Ndonëse ishte favorite e madhe, Atalanta u eliminua nga skuadra belge, Club Brugge.
Brugge ndeshjen e parë në Belgjikë e kishte fituar 2:1. Ndërkohë të martën mbrëma në Bergamo fitoi me rezultatin 3:1. Dhe avancoi me rezultatin e përgjithshëm 5:2.
Chemsdine Talbi, që ka pasaportë të Belgjikës, shënoi golin e parë të martën mbrëma, që në minutën e tretë.
I njëjti lojtar realizoi për 2:0 në minutën e 27-të. Në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë spanjolli Ferran Jutgla shënoi supergol për 3:0 në të mirë të ekipit belg.
Ademola Lookman hyri në lojë tek Atalanta në fillim të pjesës së dytë. Menjëherë në minutën e 46-të ngushtoi rezultatin në 3:1.
Atij iu anulua një gol në minutën e 58-të, ndërsa Lookman humbi penallti në minutën e 61-të.
Skuadra italiane dominoi në fushë, rreshtoi rastet, por nuk shënoi më shumë se një gol.
Në minutën e 87-të Atalanta mbeti me një lojtar më pak në fushë, pas përjashtimit të Rafael Toloit.
Berat Gjimshiti kompletoi ndeshjen tek Atalanta, ndërsa Ardon Jashari ishte prej më të mirëve te Brugge.
Atalanta është fituese në fuqi e Ligës së Evropës