Gjykata Penale në Shkup ka shqiptuar edhe 30 ditë paraburgim për ish drejtorin e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), Vlladimir Atanasovski.
Avokati i tij, Jordan Apostollski, tha se ende nuk e ka marrë vendimin e gjykatës së shkallës së parë, por se për të njëjtën do ta ankohet tek Gjykata e Apelit.
Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion e akuzon Atanasovskin për veprën penale “bashkim për veprimtari armiqësore”, pasi që në seancat e fundit gjatë gjykimit për ngjarjet e 27 prillit, disa nga të akuzuarit e kanë përmendur si organizator të sulmit të dhunshëm në Kuvend.
Vlladimir Atanasovski ishte në krye të DSK-së në periudhën e vitit 2016 gjegjësisht që nga fundi i vitit 2016, kur nga funksioni u largua ish-drejtori, Sasho Mijallkov.