Një atentat me armë zjarri tronditi qytetin bregdetar të Durrësit gjatë këtij sezoni turistik. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme rreth orës 13:20 në zonën e ish Kënetës, ku nga breshëria e kallashnikovit mbetën të plagosur Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj, dy emra këta mjaft të njohur për policinë. Plarent Dervishaj 47 vjeç, i cili është edhe kunati i Lul Berishës, ka marrë një plumb në këmbë dhe është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 36-vjeçari Julian Meçaj, mori tre plumba në pjesë të ndryshme të trupit, por fatmirësisht dhe ky është nën kujdesin jashtë rrezikut për jetën. Ata u qëlluan teksa ishin duke udhëtuar me një automjet tip “Range Rover”. Ende nuk janë zbuluar autorët e këtij atentati, të cilët dyshohet se i janë vënë në ndjekje me dy makina Range Roverit, derisa kanë qëlluar pranë mbikalimit të Shkozetit. Pas atentatit automjeti me të cilin po udhëtonin dy të plagosurit është ndalur në hyrje të Durrësit në zonën e njohur si ish-Këneta. Pas ngjarjes policia gjeti të djegur një automjet që dyshohet të jetë përdorur nga autorët. Nga pjesa e përparme automjeti me targë AA 005 MJ është bërë shosh nga plumbat në pjesën e xhamit, ndërsa dyshohet se Mecaj e Dervishaj kanë qenë në sediljet e para. Grupi hetimor ka ngritur disa pista hetimi, ndërsa janë sekuestruar edhe disa kamera sigurie, pasi pranë vendit ku iu bë atentati Plarent Dervishatj dhe mikut të tij, Julian Meçajt, ishte një biznes. Gjithashtu pritet se me përmirësimin e gjendjes shëndetësore të dy të plagosurve të merret edhe dëshmia e tyre. Nëse ata i kanë parë autorët do të ndihmonte policinë për kapjen e tyre. Deri më tani policia e Durrësit ka shoqëruar mbi 10 persona si dëshmitar okular por ende nuk ka një të dyshuar për atentatin. Nga ana tjetër vetë policia ka ngritur disa postblloqe në hyrjet dhe daljet e Durrësit për të bërë të mundur kapjen e autorëve. Në lidhje me ngjarjen policia e qytetit bregdetar nuk ka dhënë shumë detaje duke u mjaftuar vetëm me një komunikatë të shkurtër për mediat. Më datë 20.06.2019, rreth orës 13:20, në lagjen 17/1 Durrës, në rrethana ende të paqarta janë plagosur dyshohet me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar, shtetasit me inicialet J. M., 36 vjeç, dhe P. D., 47 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën në Spitalin e Durrësit. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, tha policia.
Kush janë të plagosurit
Dy të plagosurit në atentatin e ndodhur mesditën e djeshme në zonën e ish kënetës në hyrje të qytetit bregdetar, shumë pranë autostradës Tiranë-Durrës, janë dy emra të njohur për autoritetet tona. Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj janë akuzuar për disa ngjarje të rënda kriminale nga drejtësia shqiptare. Plarent Dervishaj, i cili është kunati i Lul Berishës për më shumë se një dekadë ka qenë një nga personat më të kërkuar nga Interpoli. Ai ishte dënuar në mungesë nga Gjykata për Krime të Rënda për disa krime të rënda në qytetin e burgut, vendim ky i cili u prish nga Gjykata e Lartë. Prej vitesh ai dyshohet se u fsheh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dervishaj ka qenë i dënuar me burg përjetë në mungesë për vrasjen e Arsel Sotiri, Ilir Nelaj, Agim Rexhepi, Dritan Sallaku dhe Dritan Disha por ky dënim u rrëzua në Gjykatën e Lartë dhe rigjykimi në Apelin e Krimeve të Rënda i dha atij pafajësi. Nga ajo kohë Plarent Dervishaj është në liri ndërsa dje ka rënë pre e një atentati me armë zjarri duke marrë një plumb në këmbë. Por edhe i plagosuri tjetër Juljan Meçaj është një emër i lakuar edhe më parë në raportimet e kronikës së zezë. Ai ka qenë pjesë “Bandës së Durrësit”, që drejtohej për 10 vjet nga Lulzim Berisha. Meçja rezulton të jetë një emër i njohur për policinë. Ai është pjesëtar i grupit të Lulzim Berishës, i njohur për një sërë krimesh në Durrës dhe më gjerë. Nisur na dëshmitë që Coli ka dhënë në gjykatë si i penduari i bandës së Lul Berishës, Julian Meçe ishte dyshi i grupit dhe kishte rol të rëndësishëm në planifikimin dhe kryerjen e veprimeve të tyre. Meçe iu bashkua më vonë grupit pasi ai ishte ndarë në dy me rivalët e Indrit Dokles. 36-vjeçari, u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda në atë kohë vetëm për grup të strukturuar kriminal, pasi nuk u gjetën prova në përfshirjen e tij në krimet e zbardhura nga dëshmitari i drejtësisë Adriatik Coli.