Athina e rrethuar nga flakët, vijojnë evakuimet nga qytezat e afërta

Greqia vijon luftën me zjarret në periferinë e kryeqytetit Athinë, edhe pse zbutja e erërave dhe përpjekjet e zjarrfikësve kanë ndihmuar në reduktimin e intensitetit të tyre.

Marketing

Një urdhër i ri evakuimi u lëshua për qytezën bregdetare të Nea Makrit të martën, ndërsa një grua u gjet e vdekur brenda një dyqani në qytezën e Vrilissia, 14 km në veri të Athinës. Mijëra njerëz janë evakuar pasi zjarrfikësit paralajmëruan se banesat, bizneset dhe shkollat ishin të kërcënuara.

Reja gjigande e tymit që errësoi qiellin mbi Athinë duket se u largua mëngjesin e së martës, edhe pse ajri vazhdon të jetë i mjegullt. Edhe banorët në zonat e Athinës që nuk janë prekur drejtpërdrejtë nga zjarri thanë se kishin gjetur hi në ballkonet e tyre.

Siç pohojnë zjarrfikësit, në rajonin e Atikës verilindore nuk ka më ndonjë front të madh aktiv zjarri, por megjithatë beteja po vijon me flakë të shumta të lokalizuara, kryesisht rreth qytezave të Maratonës dhe Pentelit. Kushtet për vatra të reja mbeten të rrezikshme përgjatë gjithë javës, thuhej në një deklaratë të kreut të shërbimit zjarrfikës.

Mbi 700 zjarrfikës, 199 automjete dhe 34 mjete fluturuese u përfshinë në operacionin për shuarjen e flakëve që shpërthyen fillimisht pasditen e së dielës, 35 km në veri të kryeqytetit. 2 zjarrfikës po marrin trajtim për djegiet e shkaktuara gjatë luftës me flakët. Sipas autoriteteve, gjatë së hënës zjarret shpërthyen në 40 zona të ndryshme, me flakët që arritën deri në 25 metra lartësi.

Imazhet satelitore treguan se një sipërfaqe prej 405 km katrorë ishte prekur nga zjarri.