Atletja shqiptare humb jetën në Irlandë, përplaset nga makina teksa vraponte

Quhet Anila Muçaj, iahte atlete shqiptare dhe nënë e dy fëmijëve, e cila humbi jetën tragjikisht në moshën 48-vjeçare pasi u përplas nga një fuoristradë teksa vraponte në urën Blennerville, në Irlandë. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në një zonë të njohur për vrapim, çiklizëm dhe ecje.

Marketing

Muçaj po stërvitej me dy miq të saj kur automjeti e goditi fatalisht, përcjell albinfo.ch.

Dy personat që po vraponin me të pësuan lëndime të lehta, ndërsa shoferi i moshuar i makinës u dërgua në spital për trajtim mjekësor.

Anila Muçaj ishte anëtare e klubit të atletikës “Born to Run” me bazë në Tralee dhe një atlete e pasionuar, e cila kishte marrë pjesë në disa maratona gjatë viteve të fundit.

Klubi i saj e kujtoi me dhimbje përmes një mesazhi në rrjetet sociale:

“Sot jemi të shkatërruar nga lajmi tragjik për humbjen e Anilës, mikes sonë të dashur. Lutjet tona shkojnë për bashkëshortin dhe dy djemtë e saj, si dhe për gjithë familjen e Anilës në këtë moment të vështirë. Ne gjithashtu lutemi për shërimin e plotë të Klerës dhe Klarës, të cilat vraponin me Anilën në momentin e aksidentit.”

Kryetari i Bashkisë së Tralee, Mikey Sheehy, e cilësoi këtë ngjarje si një tronditje të madhe për qytetin. “Një mëngjes i bukur i së dielës u kthye në një tragjedi. Vdekja e Anilës ka prekur thellë komunitetin tonë,” tha ai gjatë mbledhjes së Këshillit Komunal të Tralee.

Banorët e zonës e kujtojnë Muçajn si një grua të sjellshme, të kujdesshme dhe gjithmonë të gatshme për të ndihmuar të tjerët.

Autoritetet lokale po hetojnë rrethanat e aksidentit.

Marketing