Australi, gjobë rekord ndaj “Commonwealth Bank”

Një tjetër bankë australiane është përfshirë në mesin e skandaleve që kanë tronditur sektorin financiar të Australisë. “Commonwealth Bank” ka njoftuar se do të paguajë një gjobë prej 700 milionë dollarësh australianë (530 mln USD) për shkeljen e ligjeve kundër pastrimit të parave dhe kundër financimit të terrorizmit.

Marketing

Skandali ka të bëjë me rreth 53 mijë transaksione që banka nuk ua ka raportuar menjëherë autoriteteve vendase. Vitin e kaluar, Agjencia e Inteligjencës Financiare akuzoi bankën më të madhe huadhënëse për shkelje “serioze dhe sistematike” të ligjeve.

Nëse gjykata do të konfirmojë gjobën, kjo do të jetë dënimi më i madh civil në historinë e korporatës australiane. Banka tha gjithashtu se do të mbulojë edhe shumën prej 2.5 milionë dollarësh australianë, për tarifat ligjore të ndërmarra prej hetuesve.

“Ndonëse pa qëllim, ne vlerësojmë plotësisht seriozitetin e gabimeve që kemi bërë”, tha shefi ekzekutiv i bankës, Matt Comyn.
Sektori financiar i Australisë është në qendër të një hetimi kombëtar për sjellje të gabuara.

“Commonwealth Bank” dhe agjencia e inteligjencës financiare “Austrac” (Qendra për Raportet financiare dhe Analizat) ranë dakord për masën e gjobës, pas një ndërmjetësimi të urdhëruar nga gjykata.

Shumica e shkeljeve ka të bëjë me makineritë depozituese të bankës, të cilat mund të pranojnë deri në 20 mijë dollarë australianë “cash” njeherazi, e shpesh në anonimitet nëse personi që i depoziton nuk është klient i bankës “Commonwealth”. Banka dështoi të përmbushte brenda afateve raportimin e këtyre transaksioneve, mbi pragun ligjor të 10 mijë dollarëve australianë, sipas “Austrac”.

Gjithsesi, “Commonwealth Bank” deklaroi se shkeljet kanë ndodhur për shkak të një gabimi në programimin e makinerive, gjë që nënkupton se këto makineri nuk kanë mundur të raportojnë automatikisht transaksionet.

Marketing