Qyteti australian i cili mbeti më së gjati i “mbyllur” në botë, Melburni, ka dalë nga seria e fundit e kufizimeve, të vendosura për frenimin e përhapjes së COVID 19, prandaj banorët e qytetit nxituan në pubet e qytetit, restorantet dhe sallonet e parukerive në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, transmeton Anadolu Agency (AA).
Qyteti i dytë për nga madhësia në Australi kaloi 262 ditë, apo afër nëntë muaj nën masa të rrepta kufizuese, gjatë gjashtë serive të ndara të mbylljes, të cilat ishin në fuqi nga marsi i vitit 2020, që paraqet mbylljen më të gjatë të të gjithë qyteteve.
Heqja e masave vjen në një moment kur mbi 70 për qind e qytetarëve të rritur të Australisë janë vaksinuar plotësisht kundër COVID-19.
Australia është një nga vendet me kontrollet më rigoroze kufitare në botë. Madje, edhe qytetarëve të saj ua ka ndaluar largimin nga vendi.
Shumë banorë planifikojnë që përsëri të udhëtojnë jashtë vendit pas lehtësimit të masave restriktive kufitare nga nëntori.
Kryeministri australian, Daniel Andrews tha se plani i ri kombëtar është tani për të vaksinuar 80 për qind të popullatës, në mënyrë që të vazhdojë hapja e sigurt e vendit.
Ai shtoi se personat e vaksinuar plotësisht që tregojnë një test negativ për COVID-19 pas mbërritjes në Australi nuk do të vendosen në karantinë për 14 ditë.
Që nga fillimi i pandemisë, në vend janë regjistruar 152 mijë raste me COVID-19 dhe 1.590 vdekje.