Australia regjistroi janarin më të nxehtë në histori

Muaji që kaloi ka qenë janari më i nxehtë në histori të Australisë. Për herë të parë, temperatura mesatare gjatë këtij muaji ka qenë mbi 30 gradë. Sipas Byrosë së Meteorologjisë, vapa e jashtëzakonshme në këtë periudhë të verës ka qenë e pakrahasueshme me vitet e kaluara.

Marketing

Të paktën dhjetë ditë gjatë muajit të kaluar janë regjistruar si ditët më të nxehta në histori të vendit, me ç’rast në disa rajone janë regjistruar temperatura më të larta se 40 gradë. Kushtet e jashtëzakonshme të motit kanë shkaktuar vdekje, zjarre dhe rritje të numrit të pacientëve në spitale. Është raportuar gjithashtu se shumë kafshë kanë ngorthur nga etja.

Rekordi i shënuar gjatë këtij janari e ka thyer rekordin e mëparshëm të vitit 2013. Sipas klimatologut Andrew Watkins, rekord është shënuar në gjatësinë kohore të vapës dhe në temperaturën maksimale ditore. Ndërkaq, edhe reshjet e shiut kanë qenë nën nivelin mesatar në shumicën e rajoneve.

Australia është përballur vazhdimisht me temperatura shumë të larta viteve të fundit. Vitin e kaluar, në Sydney u shënua temperatura 47.3 gradë, e cila theu rekordin e vitit 1939. Besohet se temperatura mesatare në Australi gjatë 100 vjetëve të fundit është rritur më shumë një gradë, duke shkaktuar ndryshime të dukshme në florën dhe faunën e vendit, shkruan “The Guardian”.