



Një tjetër shtet europian ka ashpërsuar masat për personat e pavaksinuar. Bëhet fjala për Austrinë, e cila duket se ka vendosur të privojë nga shumë shërbime shtetasit e saj që ende nuk janë vaksinuar.
Mësohet se ata nuk do të mund të hyrjet në ambiente publike si; kafene, bare, restorante apo floktore. Shkak i këtij vendimi është bërë shpërthimi i një vale të re të Covid-19 në këtë vend, ku javën e kaluar u raportuan gati 9 900 raste ditore.
Raportohet se në ditët e fundit ka pasur dyndje të qytetarëve në qendrat e vaksinimit, për t’i shpëtuar kështu kufizimeve të vendosura.
Austria renditet mes vendeve të unionit ku skepticizmi ndaj vaksinave është i ndjeshëm. Deri më tani mbi 66% e popullsisë janë vaksinuar. Për të shtuar përqindjet, në Vjenë, autoritetet kanë ulur deri tek 5-vjeçarët moshën e lejuar për vaksinim, pa pritur rekomandimin e Autoritetit Europian të Barnave.
Qeveria austriake ka hequr kufizimet e udhëtimit në rajonet me norma të ulëta vaksinimi dhe shkallë më të lartë të të infektuarve. I ashtuquajturi “bllokim për të pavaksinuarit” do të zgjasë të paktën deri në natën e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, sipas qeverisë austriake.