Austria vendos masa të udhëtimit ndaj banorëve të Ballkanit Perëndimor

Austria ka lëshuar paralajmërime udhëtimi për vendet e Ballkanit, për shkak të një rritjeje të numrit të të infektuarve me koronavirus atje, tha ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg, raporton Reuters.

Marketing

Banorëve të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje e Hercegovinës u kërkohet të vetizolohen për 14 ditë, me të hyrë në Austri, ose duhet të tregojnë një test negativ të koronavirusit.

Masa e Austrisë, është një goditje e veçantë për Serbinë dhe Malin e Zi, vende këto të cilat Bashkimi Evropian, të martën, i shtoi në “listën e sigurt” të vendeve, duke lejuar udhëtimin e banorëve të tyre në BE.

“Ne po reagojmë në bazë të rrethanave, jo vetëm situatës në ato vende, por edhe faktit që ne shohim, për shembull në vendet tona fqinje Kroaci dhe Slloveni, një rritje në grupimet e njerëzve që kthehen nga udhëtimi në Ballkanin Perëndimor”, tha Schallenberg në një konferencë për shtyp.

Tubime të tilla janë vërejtur edhe në Austri, tha ai.

Numri i të infektuarve është rritur ndjeshëm gjatë muajit të kaluar në Ballkanin Perëndimor, megjithëse rajoni në përgjithësi ka pasur norma më të ulëta se shumica e Evropës perëndimore.