Autobusi pa certifikatë, Huseini: S’e kam të qartë si është lejuar nga dogana

Inspektorati Shtetëror i Transportit ka lëshuar urdhëresë për inspektim të jashtëzakonshëm në kompaninë “Besa Trans”. Gjatë ditëve në vijim do të kontrollohet se sa licenca për autobus ka kompania dhe a është respektuar ligji nga të punësuarit.

Marketing

Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Transportit, Rifat Huseini, thekson se sipas ligjit çdo autobus duhet të pajisjet me certifikata, por edhe ai shprehet i habitur se si ka mundur autobusi të kalojë përmes tre kufijve pa licencë. Drejton gishtin tek Drejtoria Doganore.

“Edhe ne pyesim, nuk e dimë. Ne si Inspektorat Shtetëror nuk kemi qasje çdoherë nëpër pikat kufitare, por shkojmë sipas nevojës ose thirrjes nga ana e Drejtorisë Doganore ose MPB-ja dhe flas për këtë rast nuk kemi pasur thirrje nga ata dhe tani si kanë kaluar, a kanë pasur ose jo? Ministria thotë se nuk gjenden në listën e kompanive që kanë licencë për atë autobus dhe sot unë kam dorëzuar kërkesë zyrtare që të shoh se çfarë ka “Besa Trans”, pasi mund të ketë edhe ndonjë autobus tjetër që nuk është i regjistruar në evidencë e kompanisë.”,- tha drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Transportit, Rifat Huseini.