Me fillimin e korrikut, në rajonin e gjerë të Pollogut, zonë që administrativisht mbulohet nga SPB-Tetovë, vërehet intensiteti në rritje i kthimit të mërgimtarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, ndërsa në gjysmën e dytë të këtij muaji dhe në fillim të muajin e ardhshëm pritet që numri i tyre të rritet edhe më shumë, për këtë arsye rregullisht ndërmerren të gjitha masat dhe aktivitetet e intensifikuara për të mundësuar qarkullim normal dhe të qetë nëpër zonat qendrore të qyteteve Tetovë dhe Gostivar, e veçanërisht në drejtim të parandalimit dhe sanksionimit të parkimeve të gabuara dhe të paligjshme të automjeteve. Në bashkëpunim me pushtetin vendor, tashmë janë hapur oborret e disa shkollave fillore dhe të mesme në zonat qendrore të qyteteve për të mundësuar parkimin e automjeteve dhe për të shmangur parkimet e dyfishta, pra paralele, si dhe parkimet në kryqëzime, në trotuare, vendkalime për këmbësorët dhe të ngjashme. Automjetet që pengojnë rrjedhën normale të qarkullimit do të merren nga shërbimet komunale “merimangë”, ku do të ketë aktivitete të intensifikuara dhe me orar më të gjatë pune.
Mbi 2500 masa janë vendosur në gjashtë muajt e fundit për parkimin e paligjshëm dhe të gabuar të automjeteve dhe me shërbimin merimangë janë kapur mbi 1000 automjete që kanë penguar drejtpërdrejt qarkullimin normal, ndërsa janë lëshuar urdhërpagesa përkatëse për shkelësit dhe do të përballen me gjoba të parashikuara në ligj.
Sektori për Punë të Brendshme Tetovë, për shkak të mërgimtarëve të ardhur dhe frekuencës dukshëm të rritur të trafikut, apelon drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat dhe rregulloret ligjore në komunikacion për të shmangur pasojat e rënda dhe bllokimin e trafikut, të jenë të vetëdijshëm, të mos parkojnë automjetet ku do të arrijnë dhe të kontribuojnë për sigurinë e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.