Autoritetet i refuzojnë kërkesën për azil shtetases nga Emiratet e Bashkuara Arabe

Kjo 42 vjeçare quhet Hind Alboluki. Ka lindur në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa tashmë disa javë është në qendrën për tw huaj në Gazi Babë. Në Maqedoni po kërkon azil, sepse siç thotë, është kërcënuar nga familja e saj.

Marketing

“Kam ardhur në Maqedoni duke ikur nga Dubai sepse jam kërcënuar nga babai, xhaxhai, vëllai im se do të ma bëjnë jetën ferr dhe e gjitha kjo vetëm se unë kërkova divorc. Nuk dija se ç’të bëja, ata erdhën dhe më kërkuan pasaportën dhe letërnjoftimin, duke thënë se s’mund të më besojnë më se çfarë do t bëj dhe donin të ma fshihnin identitetin.

Kur dikush ta kërkon pasaportën ose letërnjoftimin do me thënë se diçka po ndodh, ndërsa unë nuk jam aq torollake, andaj e mendova dhe ika. Jam nënë e 4 fëmijëve”, tha Hind Albolooki, Azilkërkuese.

Pasi kërkesës për azil, Hindi është vendosur në Qendrën e azilkërkuesve në Vizbeg. Por me vendim të shkallës së parë, më 07 nëntor 2018, siç na thanë nga MPB, Sektori për Azil e ka refuzuar kërkesën e saj për azil në Maqedoni.

“Është konstatuar se nuk ekziston bazë e arsyetuar për përndjekje, gjegjësisht nuk është vërtetuar se personi në fjalë përndiqet për shkak të racës, fesë, etnisë, përkatësisë së ndonjë grupi social ose bindjeve politike; dhe nuk ekzistojnë arsye që të besohet se nëse ajo kthehet në shtetin në të cilin është shtetase, do të përballet me rrezik real si pasojë e lëndimeve serioze”, Ministria për Punë të Brendshme.

Për këtë vendim të shkallës së parë, më 03 dhjetor të 2018-tës, të autorizuarit në këtë procedurë kanë ngritur padi në Gjykatën Administrative, por e njëjta, siç thonë nga MPB, ka sjell vendim në favor të vendimit të Sektorit për Azil. Më pas vendimi ankimohet edhe në Gjykatën e Lartë, por edhe kjo sjell aktvendim fuqiplotë me të cilin e vërteton vendimin e Sektorit për Azil për refuzim të kërkesës për azil.

Më 07 dhjetor, Sektori për Azil kërkon që Hindit t’i kufizohet lëvizja e lirë. Për këtë, nga Vizbegu ajo kalohet në qendrën pranuese për të huaj në Gazi Babë për periudhë 3 mujore. Ndërsa Hindi në një video tjetër të publikuar në Twitter, kërkon arsyen se pse është vendosur në Gazi Babë.

“Policia juaj kanë pyetur për puna në shumë vende, askush nuk u ka thënë asgjë për mua. Unë se kam lënduar askënd. Për të më çuar atje (Gazi Babë) duhet të kenë arsye të fortë se pse, për cilat arsye, çfarë gjërash të jashtëligjshme kamë bërë, çfarë krimi kam bërë? Unë jam një person normal që kërkon vetëm sigurinë e vet, që jeta e saj të mos jetë në rrezik”, u shpreh Hind Albolooki, Azilkërkuese.

Në përgjigjen e Ministrisë së Brendshme nuk tregohen arsyet e kësaj mase, por nga kërkimet tona arritëm në këtë dokument që mban pikërisht datën 07 dhjetor 2018 e ku shkruhet se Hind Albollokit i kufizohet lëvizja për shkak se ekziston rrezik për sigurinë kombëtare:

“Vlerësohet se është e domosdoshme që të jepet masa e kufizimit të lëvizjes së lirë për shkak të mbrojtjes së rendit publik ose sigurisë kombëtare, në periudhë prej 3 muajsh, nga dita e dorëzimit të këtij Vendimi”.

Për këtë vendim që Hindi 3 muaj të rrijë në Qendrën për të Huaj, të autorizuarit për rastin e saj më 12 dhjetor 2018 kanë ngritur padi në Gjykatën Administrative, ndërsa vendim ende nuk është marrë, sepse procedura ende është në rrjedhë.

Më 04 shkurt të këtij viti, siç informojnë nga MPB, Hindi Albalookin është informuar se procedura për njohje të azilit ka përfunduar me vendim fuqiplotë të gjykatës. Me këtë i është dhënë afat prej 15 ditësh, pra më së voni deri më 19 shkurt, që ajo vullnetarisht ta lëshojë Maqedoninë, ose-ose të sigurojë kushtet për qëndrim si e huaj në vendin tonë.

Por është e pakuptueshme se si ajo mund ta zbatojë këtë vendim kur ende është e mbyllur në Qendrën për të huaj në Gazi Babë. Me rastin e saj po merret Shoqata e juristëve të Rinj, por i kontaktuar nga TV21, kryetari i saj Zoran Drangovski na tha se nuk mund të komentojnë raste që janë aktive dhe për të cilat po ndërmerren mekanizma juridik për mbrojtje.