Veprimet e Shkupit dhe Sofjes në drejtim të marrëveshjes duhet të jenë të dyanshme, vlerëson ministri i Jashtëm Bujar Osmani.
Sipas tij, fryma e marrëveshjes së vitit 2017 e ngarkon Sofjen me përgjegjësinë e mbështetjes së integrimit të Maqedonisë së Veriut. Osmani shtoi se zgjidhja me Bullgarinë duhet të përfshijë propozimin portugez, udhërrëfyesin e definuar dhe dritën e gjelbër për fillim të negociatave.Alsat.mk
“Bullgaria sipas nenit dy të marrëveshjes, do të ketë për obligim ta mbështesë integrimin euroatlantik, Maqedonia e Veriut do t’i ketë obligimet e saj dhe ata bashkërisht t’i zbatojmë dhe bashkërisht t’i monitorojmë… Do të thotë procesi është i menduar ashtu që të mundet bashkërisht të marrim obligime, dhe prej këtu duhet të vazhdojmë, ne nuk duhet të kthehemi në periudhën para vitit 2017 dhe të fillojmë me qasje të njëanshme të zgjidhjes”- deklaroi Bujar Osmani, Ministër i Punëve të Jashtme.
Një ditë më parë ministri bullgar i Punëve të Jashtme, publikoi listë të obligimeve të cilat, gjoja pala maqedonase i ka pranuar gjatë vizitës së fundit të delegacionit qeveritar në Sofje. Në listë mes tjerash thuhet se Shkupi ka shprehur gatishmëri që sa më shpejt në OKB të konfirmojë se emri i shkurtër por edhe i gjatë ka të bëjë vetëm për subjektin politik ”Republika e Maqedonisë së Veriut” e jo për rajonin gjeografik “Maqedonia e Veriut”. Që Maqedonia e Veriut të potencojë qartë se nuk ka pretendime të çfarëdoshme për pakicat në Bullgari. Që vendi jonë të fillojë procesin e rehabilitimit të viktimave të komunizmit jugosllav, të harmonizojë bashkë me Bullgarinë programet arsimore të historisë, si dhe bashkërisht të identifikojnë mbishkrimet të cilat shkaktojnë urrejtje ndaj Bullgarisë dhe bullgarëve.
Deri në përmbushjen e këtyre detyrimeve, Bullgaria ka konfirmuar se nuk do të heqë veton për fillimin e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.
Për bllokimin e Maqedonisë së Veriut, nga Bullgaria, me çka datë për fillimi të negociatave nuk mori edhe Shqipëria, me deklaratë të përbashkët kanë dalë edhe ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Portugalisë dhe Sllovenisë, Hajko Mas, Augusto Santos Silva dhe Anzhe Logar. Ata e theksojnë peshën e vazhdimit të procesit të zgjerimit si qëllim strategjik i BE-së. Shtojnë se bllokimi momental e ul kredibilitetin e BE-së dhe është në kundërshtim me interesat strategjik të BE-së për stabilitet në Ballkanin Perëndimor.
“Skajshmërish jemi të shqetësuar që nuk arritëm të fillojmë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë edhe krahas faktit që Këshilli solli vendim për këtë që në mars të vitit 2020. Të dy vendet bënë një sërë reformash, ndërsa Maqedonia e Veriut investoi kapital të lartë politik në zgjerim, madje e ndryshoi edhe emrin e saj. Është koha, BE t’i mbajë premtimet e saja. Kryesimi slloven do t’i vazhdojë këto përpjekje dhe do të ndërlidhet në të arriturat e deritashme.”
Çështjet bilaterale mes dy vendeve, sipas ministrave të BE-së, duhet të zgjidhen në mënyrë bilaterale.