Autostrada Kërçovë Ohër , pritet të përfundojë më vitin 2021. Burime qeveritare thonë se me marrëveshjet e reja dhe revidimin e tërësishëm të dokumentacionit projektues dhe teknik, do të ndërtohet autostradë që tërësisht i plotëson standardet ndërkombëtare. Pritet që me aneksin e tretë të marrëveshjes që është në fazë përfundimtare të zgjidhen të gjitha dilemat rreth trasesë dhe zhdëmtimit të truallit, shkruan gazeta KOHA.
Për shkak të problemeve me dokumentacionin jo të plotë projektuesi u vonua ndërtimi i rrugës, ndërsa realizuesi kryesor i punëve në teren kompania kineze “Sinhidro”, kërkoi 152 milion euro shtesë vetëm për përfundimin e tunelit të gjatë 4 kilometra tek lokaliteti Preseka, ndërsa afër 90 milion euro të tjera janë kërkuar për harxhimet shtesë në pikat e tjera problematike të ndërtimit . Bile analizat kanë treguar se materiali ku është kryhet shpimi i tunelit “Preseka” tek fshati Vërbjan, kushtëzon çmim më të lartë të ndërtimit për shkak se tuneli, ishte parashikuar të ndërtohet mbi një shkëmb pa hulumtime paraprake gjeologjike, ndërsa tani tereni dikton çmim më të lartë ndërtimi që duhet të harmonizohet me partnerin kinez të ndërtimit.
Kjo rrugë e rëndësishme që nga fillimi i ndërtimit ballafaqohet me probleme të ndryshme ku fillimisht nuk ishin parashikuar hyrje-dalje ndaj rrugëve lokale, ndërsa një pjesë e rrugës ishte e parashikuar të ndërtohet mbi rezervuarin që furnizon Kërçovën me ujë.
Në ndërkohë , pas një viti konsultimesh me ekspertë vendor dhe të huaj, projekti ka marrë dritë jeshile nga qeveria në aspektin financiar dhe teknik.
“Kjo autostradë kishte vështirësi serioze lidhur me dokumentacionin teknik dhe projektet e papërfunduara të ndërlidhjeve me vendbanimet e ndryshme , apo tunelet e ndryshme. Pasi kemi harxhuar një vit , mund të them kjo nuk një kohë e humbur, për shkak se të gjitha projektet janë sjellë në gjendje teknike të drejtë. Njëherazi kemi zvogëluar edhe çmimet midis realizuesve kinez dhe kompanive vendore . Dallimi në çmime më parë ishte mbi 50 për qind, ndërsa tani ai është zvogëluar në 10 për qind. Të gjitha kursimet edhe tek punimet shtesë edhe tek tuneli do të sjellin harxhime më të ulëta prej 70 deri 100 milion euro”, thotë zëvendës kryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
Sipas tij, aneksi i fundit përfundimtar për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër është në fazën përfundimtare , ndërsa janë kah fundi edhe negociatat me kompaninë kineze Sinhidro për vendosjen e çmimit të fundit të kostos së këtij aksi rrugor. Pas miratimit të marrëveshjes në qeveri, pritet që për të debatojnë deputetët dhe të votojnë ndryshimet e propozuara nga qeveria para mbajtjes eventuale të zgjedhjeve parlamentare. Pritet që të përgatitet edhe dinamikë e qartë se si do të zhvillohen punët ndërtimore si dhe tjetërsimin e pronave të qytetarëve .
Drejtori i Ndërmarrjes Publike të Rrugëve shtetërore, Zoran Kitanov, shpreson se në tërësi do të respektohen afatet e reja për përfundimin e autostradës deri më vitin 2021, ndërsa paralajmëroi se disa akse rrugore do të lëshohen edhe më herët në përdorim.
“ Qëllimi i jonë është që disa pjesë të rrugës prej Ohrit dhe deri te tuneli të lëshohen parcialisht në përdorim pas përfundimit të ndërtimit të tyre. Por, kjo nuk nënkupton lëshimin në përdorim të një apo dy kilometrave por , 5, 10 apo 15 kilometra që do të mundësojë edhe ngarkesën më të vogël të trafikut”, thekson Kitanov.
Ndryshe, autostrada Kërçovë –Ohër filloi të ndërtohet në 2014-ën dhe duhej të jetë gati në shkurt të vitit 2018. Prokuroria publike Speciale në bazë të indikacioneve nga përgjimet jolegale apo “bombat” , hapi rastin kundër ish funksionarëve të pushtetit të dyshuar për marrjen e mitës si dhe për mënyrën e udhëheqjes së procedurës së tenderit.
Nga ana tjetër edhe Enti Shtetëror i Revizionit konstatoi se ndërtimi i autostradave të reja po zhvillohet me tempo të ngadalshme, ekziston vonesë e punëve ndërtimore si dhe realizimit financiar të punëve të planifikuara dhe kontraktuara.
Ndryshe , autostradat Kërçovë-Ohër e gjatë 57 kilometra paraprakisht kishte kosto prej 374 milion euro , ndërsa ajo Milladovci apo nga pikë pagesa në autostradë Kumanovë –Shkup, deri në Shtip e gjatë 47 kilometra kishte vlerë 206 milion euro .Të dyja me kalimin e kohës tejkaluan buxhetin fillestar për ndërtimin e tyre. Autostrada Shkup- Shtip në vend se të lëshohet në përdorim deri më maj të vitit 2017, do të mund të përdoret deri në fund të këtij viti. Ajo ndërtohet në teren të rrafshët , shumë më të përshtatshëm ndërtimi në raport me autostradën tjetër me teren malor. Autostrada nga Kërçova për në Ohër dhe Strugë, do të jetë gjerësi prej 23 metrash, nga dy korsi në secilin drejtim dhe hapësirë për t’u ndalur makinat. Do të ketë 19 mbikalime dhe nënkalime, 22 ura si dhe një tunel prej rreth dy kilometrash. (koha.mk)